Japonia në Mal të Zi

Shkruan: Daut Dauti

Në vitin 1904 Mali i Zi i ka shpallur luftë Japonisë, shtetit që gjendej 9000 km larg Cetinës, kryeqytetit malazez. E pabesueshme, por e vërtetë. Malazezët i shpallën luftë Japonisë për t’a përkrahur vëllezërinë sllave, gjegjësisht Rusinë, që kishte hyrë në luftë me japonezët. Në këtë luftë Japonia e mundi Rusinë në mënyrë spektakolare dhe rusët e nënshkruan kapitulimin dhe lufta përfundoi.

Por, me Malin e Zi, Japonia nuk nënshkroi marrëveshje paqësore deri në vitin 2008. Pra që nga atëherë, për 104 vite rresht, këto dy vende kanë qenë në marrëdhënie lufte. Kjo ka qenë lufta më interesante në histori. Ka zgjatë aq shumë dhe nuk ka ekzistuar asnjë konfrontim ushtarak. Si rezultat, nuk është shënuar asnjë fatalitet. Pra, ka qenë luftë që ka ekzistuar vetëm në letër.

Kjo luftë nuk ka qenë e tillë për shkak se Japonia nuk e gjente dot në hartë Malin e Zi për ta bombarduar (siç thot barcoleta), por edhe për shkak se nuk ishte punë serioze. Por, kur Mali i Zi e shpalli pavarësinë dhe kur kërkoi të lidhte marrëdhënie më Japoninë, juristët japonezë thanë se ekzistonte një problem: Japonia ishte në luftë me Malin e Zi. Prandaj, më 2008 në Podgoricë u nënshkrua marrëveshja paqësore mes këtyre dy vendeve.

Ekziston edhe një çudi tjetër. Në Mal të Zi ekziston një fshat me emrin Japan (Japoni), që gjendet në komunën e Andrijevicës. Ekzistojnë shumë teori që e spjegojnë se si i mbeti ky emër këtij fshati malor, por asnjë nuk duket të jetë e saktë. Një variant ka të bëjë me rastin kur kral Nikolla e kishte dekoruar për trimëri Samilo Fatiqin, bajraktarin e këtij fshati. Bajraktari kishte kërkuar nga krali që fshatit t’i ndërtohej ujësjellësi pasi që vuante për ujë.

‘Ku gjendet ky fshat?’ – e kishte pyet krali.

‘Është larg, sa këtu e n’Japoni’- ishte përgjegjur bajraktari Fatiq.

Sidoqoftë, fshati Japan ka zgjuar interesim kohëve të fundit. Thuhet se e kanë vizituar disa japonezë, madje edhe gazetarë të këtij vendi. Nejse, edhe kështu nuk është keq të popullarizohet vendi.