Jasharaj paralajmëron greva edhe me ardhjen e qeverisë së re: Patëm katër vite të vështira me Kurtin

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka paralajmëruar se kjo sindikatë do të kërkojë të drejtat e mësimdhënësve nga çdo qeveri, madje theksoi se nëse kërkesat nuk përfillen, do të pasojnë greva dhe protesta në arsim.

Jasharaj ka thënë se cilindo subjekt politik që vjen në pushtet, sindikata do ta konsideroj që është vullnet i popullit dhe do të tentoj që të komunikoj dhe të ketë dialog me të.

“Ne do t’i kërkojmë të drejtat tona dhe nëse nuk i realizojnë le ta dijnë se prapë do të ketë greva e protesta nga SBAShK-u, nëse kërkesat tona nuk përfillen nga qeveria që do të vijë nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, paralajmëroi ai për EO.

Jasharaj, ka deklaruar se sindikata po ndjek me vëmendje fushatën e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke shtuar se është i gatshëm të bashkëbisedoj me të gjitha partitë garuese.

Ai ka potencuar se ka premtime për rritje pagash dhe një qasje më pozitive ndaj sindikatave.

Sipas tij, vitet e fundit nën qeverisjen e Kurtit kanë qenë të vështira për sindikatat, pasi ka munguar dialogu dhe bashkëpunimi.

“Ne jemi duke përcjellë me vëmendje para fushatën dhe do ta përcjellim edhe fushatën për të parë se çfarë po thonë, sidomos kandidatët për kryeministër, deklarimet e para të kandidatit të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, premtimet janë të mëdha urojmë të jenë ashtu. E kam fjalën edhe te vlera e koeficientit 150 që do të ndikojë në rritjen e pagave. Ata kanë premtuar që do të kenë qasje ndryshe ndaj sindikatave dhe besoj që deklarimet e tyre do t’i mbajnë dhe do të kemi një frymë tjetër karshi situatës që kemi. Këto katër vitet e qeverisë Kurti i kemi pasur vite të vështira sepse ka ndikuar dialogu. Ai bashkë me kabinetin e tij ka pasur një qasje tejet të gabuar ndaj sindikatave duke mos përfillë as kërkesën për takime as dialogun. Jemi ndër shtetet e rralla që Këshilli Ekonomik Social është barakaduar dhe bllokuar me fajin e ministrit Murati. Mbrapa kësaj nuk ka mbetur as ministrja Nagavci që nga greva e vitit 2022 nuk ka gjetur asnjë ditë kohë të ulemi dhe të bisedojmë jo vetëm me ne, por edhe me Këshillin e Prindërve”, ka thënë Jasharaj.