Kjo ishte porosia që një delegacion nga Kosova Lindore e çoi në Vlorë, 100 vjet pas pavarësisë

Retro: Njëqind vjetori i pavarësisë së shtetit shqiptar (2012), ka emocionuar shqiptarët gjithandej dhe veçmas ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të cilat kanë ngelur të ndarë padrejtësisht nga trungu etnik. Disa qytetarë nga kjo krahinë, janë nisur këmbë drejt Vlorës, për të rikujtuar kombin se ende ka pjesë të vetat të robëruara edhe njëqind vjet pas pavarësisë.

Për ta dërguar këtë mesazh atje ku lindi pavarësia, drejt Vlorës janë nisur Ekrem Avdiu, Dilaver Musliu, Gani Shaqiri dhe Nazim Ajdini, qytetarë të lirë nga Gjilani, Presheva, Medvegja e Bujanoci, të cilët do të përshkojnë një rrugëtim prej 18 ditëve në këmbë.

Në këtë mënyrë, ata do të përçojnë në Vlorë mesazhin se shqiptarët janë të bashkuar në shpirtrat e tyre, kudo ku jetojnë, qoftë në trojet e lira, qoftë në viset ende të okupuara. Simbolika e këtij udhëtimi, pos në Vlorë, do të ndihet edhe në Ferizaj, Shtime, Suharekë, Prizren, Morinë, Kukës, Rreshen, Milot, Fushë Krujë, Vorë, Durrës, Kavajë, Fier, nga do të kalojnë “udhëtarët e pavarësisë”, duke bartur në krah flamurin kombëtar, të cilin më 28 Nëntor do ta ngrehin në Vlorë.

Në këtë udhëtim simbolik, Avdiu, Musliu, Shaqiri e Ajdini janë përcjellë e inkurajuar nga dhjetëra qytetarë, gjithandej nga kanë kaluar. Ky udhëtim shprehte dashurinë për Shqipërinë dhe kishtge për qëllim të përçonte kërkesën për vëmendje nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.

Simbolikë në vete është përbërja e grupit. Në krye të grupit të qytetarëve nga komunat e Luginës së Preshevës, është vënë qytetari nga Gjilani, për të përforcuar edhe më tepër simbolikën e këtij udhëtimi, por edhe për të dëshmuar përkrahjen që populli i Kosovës i jep Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Ata i dëshmuan botës se rrugëtimin e flamurit kuq e zi s`e ndalon asgjë. Udhëtarët e këtij misioni bënë 18 rrugë deri në Vlorë, për të dorëzuar flamurin kombëtar, të cilin e bartën me vete gjatë këtij rrugëtimi.

Para nisjes nga Gjilani, ata lidhën besën se më 28 nëntor 2012 do ta dërgojnë flamurin në Vlorë, aty ku para një shekulli, Ismajl Qemajl Vlora ka shpallur shtetin e pavarur.

12 Nëntori 1912 nuk i ka dhënë fund problemit shqiptar në Ballkan. Një shekull më pas, Presheva, Medvegja e Bujanoci, nuk janë as me Kosovë dhe as me Shqipëri. “Ky flamur duhet të mbërrijë patjetër në Vlorë. Rrugën e tij nuk mund ta ndalojë asgjë, as vdekja e ndonjërit prej nesh”, ka thënë Ekrem Avdiu, tani ki ndjerë.

Historiani Rasim Rexhepi (tani i ndjerë po ashtu) besonte  se Evropa do ta përmirësojë në shekullin 21 gabimin që bëri më 1878 dhe 1912 ndaj racës më të vjetër ballkanike, që i kishte rrënjët nga jugu deri në lindje e perëndim, ku jetonin ilirët, si paraardhës të shqiptarëve. Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe më tej, i kanë takuar Vilajetit të Kosovës./Mediafokus.info