Javë kobzezë për të miturit

Java që po lëmë pas ka qenë një javë kobzezë për të miturit, shkruan Mediafokus.info

Për më pak se një javë në Kosovë kanë vdekur tragjikisht tre të mitur, një 5-vjeçar në Lubizhdë të Hasit, një vajzë 16-vjeçe nga Podujeva si dhe një 5-vjeçare në Runikë të Skenderajt, shkruan express.

Mbrëmjen e së shtunës, një fëmijë 5 vjeçar është goditur për vdekje nga një veturë në fshatin Lubizhtë të Hasit.

Lajmin e kanë konfirmuar në Policinë e Kosovës, derisa, të njëjtit kanë bërë me dije se shoferi i veturës është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet në Lubizhdë-Has. Një veturë ka goditur për vdekje një fëmijë pesë vjeç. Me vendim të prokurorit shoferi i veturës është dërguar në mbajtje për 48 orë”, kanë konfirmuar nga Policia në Prizren.

Po atë natë një aksident që ka përfunduar me fatalitet ka ndodhur edhe në Komunën e Podujevës. Një vajzë 16 vjeçare ka mbetur e vdekur nga aksidenti ku edhe gjashtë të tjerë mbetën të lënduar.

Policia njofton se lidhur me rastin një person është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

Tragjikisht ka përfunduar edhe një aksident që ka ndodhur dje në fshatin Runik të Skenderajt.

Një vajzë 5-vjeçare ka vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur dje rreth orës 14:20 në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, saktësisht në fshatin Runikë të Skenderajt.

Fillimisht në aksident ishin të përfshira dy vetura, ku njëra prej tyre ka dalë jashtë shiritit rrugor dhe në trotuar ka goditur dy këmbësorë, një grua dhe një fëmijë. E lënduar ka mbetur edhe gruaja, e cila është dërguar me urgjencë në QKMF në Skenderaj.

Vdekja e fëmijëve në aksidente trafiku, është ngjarje shumë e dhembshme jo vetëm për familjarët.