Jeta në mërgim dhe dhimbja që askush nuk e sheh

Shkruan: Safet Gërxhaliu

Të gjithë e shohin veturën me të cilën vjen për pushime.

Të gjithë i shohin çantat plot, rrobat e reja dhe dhuratat që sjell me vete.

Por askush, po askush, nuk i sheh lotët në pasqyrën e veturës, kur atë veturë duhet ta kthesh prapa drejt kufirit.

Të thonë: “E ke lehtë ti, je jashtë, atje ka para”, por nuk e dinë si duket mëngjesi yt në errësirë, në orën katër e gjysmë.

Nuk e dinë për atë vetmi dhe të ftohtë, teksa pret transportin në një qytet të huaj, mes njerëzve që nuk dinë as emrin tënd ta shqiptojnë si duhet.

Nuk e dinë për atë heshtje në dhomën bosh pas një ndërrimi të gjatë, kur shikon tavanin dhe shfleton telefonin pa ndonjë qëllim, vetëm për të parë çfarë bëjnë të afërmit e tu në shtëpi, kush është mbledhur dhe çfarë ke humbur edhe këtë herë.

Fitohen para, kjo është e vërtetë. Blihet një veturë më e mirë, u dërgohen para familjarëve që t’ua lehtësosh jetën, por me para nuk mund ta blesh aromën e kafesë nga xhezvja e nënës të shtunën në mëngjes.

Nuk mund ta paguash atë ndjenjë kur ulesh me njerëzit e tu, aty ku je rritur, ku nuk ke nevojë të mendosh çfarë flet apo si flet, sepse ata të njohin deri në thellësi të shpirtit.

Atje larg, ti je gjithmonë i huaj, sado dokumente apo letra të atij shteti të kesh në xhep.

Dhe pastaj jeton vetëm për ato 15 ditë pushim.

Një vit të tërë, gjithë nervat, djersën dhe lodhjen tënde i mbledh e i fut në ato dy javë.

Kur më në fund kalon kufirin e vendit tënd, kur lexon tabelën e parë në gjuhën tënde, kur dëgjon radion e vendit tënd, vetëm atëherë është sikur merr frymë sërish.

Vetëm atëherë bëhesh përsëri ai vetja që ke qenë dikur.

Ato pak ditë në shtëpi ta mbushin shpirtin.

Aq sa të kesh forcë t’i përballosh edhe 50 javët e tjera në mërgim.

Sepse, më beso, valixhja më e rëndë që një njeri e paketon në jetë nuk është ajo e para kur largohet nga shtëpia, por ajo që e paketon pasi kalojnë ato dy javë të shkurtra dhe duhet të kthehet përsëri në atë botë të huaj.

Atë që e përjetova vetë!