Jeton Biqkaj: Kastrati ka pësuar fiasko në qeverisjen e Kamenicës

Qëndron Kastrati, kryetar i Kamenicës, në vazhdimësi proklamon se ka arritur suksese gjatë qeverisjes dy vjeçare atje.

Por, kështu nuk po e sheh Lidhja Demokratike e Kosovës në këtë komunë.

Kreu i kësaj partie, Jeton Biqkaj, qeverisjen e Kastratit e vlerëson si të dështuar.

“Në periudhën e deritashme dyvjeçare, mund të konstatoj se Qëndron Kastrati ka pësuar fiasko në qeverisjen e Kamenicës. Mbi të gjitha, ka dështuar në realizimin e projekteve kapitale. Qeverisja e tij do të mbahet në mend vetëm për politizimin e skajshëm të administratës komunale, mbingarkesën e shërbimit civil me punëtorë, punësimet politike e familjare”, thotë Biqkaj për MediaFokus.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Kamenicë pohon se Kastrati e ka nisur keq edhe me reformën në arsim.

“Ka dështuar në realizimin e reformës në arsim. E ka filluar keq dhe në kundërshtim të ashpër nga prindërit dhe nxënësit, ku ka rezultuar me mbyllje të shkollave, të cilat po funksionojnë paralelisht. Nxënënsit po pësojnë në mungesë të librave, ngrohjes etj., siç është ŕasti në shkollën e Busavatës, Krilevës dhe Strezocit”, vlerëson kryetari i LDK’së në Kamenicë, Jeton Biqkaj.

Ai e ka kritikuar të parin e Komunës se ka shpërndarë subvencione për organizata jashtë kësaj komune, në kundërshtim me rregulloren komunale.

“Qeverisja e Kastratit është e dështuar dhe nuk ka arritur të përmbush as për së afërmi premtimet elektorale”, ka përfunduar Biqkaj./MediaFokus/