Jusuf Gërvalla ishte një zë origjinal që dallohej me individualitet krijues

Manifestimi kombëtar i kulturës “Flaka e Janarit 2022”, ka vazhduar tutje rrugëtimin e tij me një tryezë letrare për Jusuf Gërvallën, në dyzetvjetorin e rënies për liri, në një pritë tinëzare të UDB-së jugosllave, më 17 janar 1982, në Untergrupenbah (afër Shtutgartit) të Gjermanisë.

Studiues e kritikë të letërsisë, si Anton Nikë Berisha, Emin Azemi, Arsim Halili, Kaltrinë Berisha, Sabit Rrustemi, Mehmetali Rexhepi e Timo Merkuri kanë vënë në pah, nga shumë këndvështrime, vlerat letrare të poezisë së Jusuf Gërvallës, duke i marrë në shqyrtim tri vëllimet poetike, ‘Fluturojnë e bien’, ‘Kanjushë e verdhë’ e ‘Shenjat e shenjta’, të cilat qenë botuar në pjesën e dytë të viteve shtatëdhjeta, në Prishtinë e Shkup, sikurse edhe përzgjedhjen e re poetike, ‘Dhembje të ndrydhura’, me parathënie të Anton Nikë Berishës, botim i Shtëpisë botuese “Beqir Musliu” në Gjilan.

Në emër të organizatorit, Sabit Rrustemi foli për veçoritë e Jusufit, si poet, këngëtar, gazetar, duke nënvizuar se ai dallohej për individualitet krijues.

E për opusin poetik të Gërvallës, me një kumtesë domethënëse u paraqit Emin Azemi, derisa për përzgjedhjen poetike “Dhembje të ndrydhura” foli Kaltrinë Berisha.

Për njohjen me poezinë e Jusufit, nga Nexhat Rexha u lexua kumtesa e Timo Merkurit (për shkak të masave anticovid nuk mund të ishte i pranishëm), derisa Arsim Halili u ndal te vëllimi i parë poetik ”Fluturojnë e bien”.

Tryeza letrare u përmbyll me fjalën e studiuesit dhe kritikut letrar Anton Nikë Berisha, një njohës i thellë i artit poetik, i cili ka bërë përzgjedhjen e poezive dhe parathënien e librit “Dhembje të ndrydhura”, për të cilin libër tha se jo vetëm që komunikon me lexuesin e sotëm, por edhe mund t’i shërbejë atij për të parë një botë të veçantë poetike.

Përndryshe, këtë ngjarje kulturore e begatoi edhe prezenca e bashkudhëtares së Jusufit, bashkëshortes Suzanë Gërvalla, e cila evokoi kujtime për Jusufin, derisa u deklamuan edhe poezi të tij, nga Ramadan Kurti e Xhezide Selimi, nën shoqërimin me kitarë nga Mehmetali Arifi.