Muhamet Halili: Kamarierja

Sheshit të ri të qytetit po ia jepnin hijeshinë pëllumbat e zbutur nga mirësia që po e kultivonin qytetarët duke iu siguruar ushqim. Platoja përreth shtatores e mbushur me kokrra të imta gruri ishte pushtuar nga pëllumbat e racave të ndryshme, por që dominonin ata me xhufkë.

Më kënaq shumë melodia që krijohet nga fërfëllima e krahëve të tyre, por edhe kur gushëfryrë, këndojnë e komunikojnë mes tyre.

Ka kohë që bashkë me ta po ateroja në njërin prej ulëseve të sheshit. Por, jo për kokrra gruri, as për të dëgjuar komunikimin e tyre interesant përmes gugatjes, gu-gu!

Kisha tjetër merak! Atë të pëllumbeshës, në lokalin përball ulëses.

Fytyrëimtë, por e çelur për t’u puthur me çdo rreze dielli.

Në sytë e saj kanë zanafillën stinët e ngrohta dhe në to sikur fshihen bukuritë më të mëdha të natyrës.

Ata sy prodhonin një shikim të tillë që po e fokusoi drejtë meje, përbënin hapur thirrjen për të vrapuar drejtë saj, për ta mbërthyer në përqafim e puthur në të dy sytë.

Natyrisht se për një gjë të tillë më duhej guximi. Unë akoma isha një frikacak i ndrojtur që po i ushqeja pëllumbat dhe më mjaftonte vetëm ta shihja nga largësia edhe pse kishin kaluar javë të tëra që po e bëja një gjë të tillë.

Në njërën faqe, nën sy, ka një shenjë që nuk është tatuazh, por e natyrshme.

Thonë se nga të gjitha shenjat e skuqura me të cilat iu kishin mbushur faqet nga një lloj alergjie, pas shërimit të plotë, i kishte mbetur vetëm kjo që kishte formën e një zemre të vogël. Ajo e bënte faqe-ëmbël.

Buzët ndonëse të palyera, i vezullonin në një ngjyrë mu si të qershisë, pak para se të piqet tërësisht.

Flokët e drejta e të lidhura bisht me ndihmën e fjongove shumëngjyrëshe, të bënin të besosh t’i ketë zbritur një ylber në kokën e saj.

Këmisha e bardhë dhe e hapur në dy kopsa, që ia shpaloste gushën si të pëllumbeshës, e tregonte mahnitëse.

Modeli i këmishës ia formësonte gjinjtë, që të linin përshtypje se janë të afta të shtyhen edhe me rrezet e korrikut se kush mund të të përcëllonte më shumë.

Beli i saj tamam për duart e mia. Pantallonat po ashtu ia nxirrnin në pah vithet, të bollshme në proporcion me trupin e imtë…!

Një vajzë magjepse, që tërheqë vëmendjen e të gjithëve që kanë sy, po ia vente edhe sot “flakën” sheshit!

Lokali ku punonte kameriere kishte shumë punë, sidomos në këtë kohë edhe tavolinat e nxjerra në shesh ishin të mbushura.

Sa mirë e mbante tabakanë në dorë.
Si pëllumbat te këmbët e mia që po çukisnin ushqimin, pllakë më pllakë të platosë edhe ajo endej tavolinë më tavolinë, duke marr dhe shërbyer porositë.

Në fytyrë i vishej një buzëqeshje epshndjellëse sa herë që donte t’i tejkalonte “ngacmimet” e rastit nga klientët. Shkaku i saj edhe sheshi vishej me një aromë freskie.

Vazhdoja të qëndroja ulur duke e vështruar. Sytë më komandoheshin nga sensorët që koordinoheshin me lëvizjet e saja, ndërkohë që instinktivisht po u hedhja edhe ca kokrra grurë pëllumbave me të cilët, tani më, kisha krijuar një afërsi.

Shumë here kisha idenë se gugatjet e tyre më adresoheshin mua. Sikur më flisnin për diçka!

Sot, ato gugatje u shtuan dhe më erdhën më të theksuara sesa më parë, sa që arritën të ma tërhiqnin, për pak, edhe vëmendjen nga pëllumbesha, sidomos njëri prej pëllumbave që rrehu krahët nja dy-tri herë dhe u “ulë” pran meje në ulëse!

Pasi mu ofrua fare afër, shpalosa shuplakën me grurë, kah sqepi i tij, që të më çukiste nga dora.

Lëvizi kokën në atë mënyrë sikur kërkoi ta kuptoja që platoja ishte përplot grurë dhe donte tjetër gjë, derisa një gu-gu të shpejtë që e prodhoi e që ia dridhi gushën shumëngjyrëshe, mu përkthye në fjalën ‘frikacak!”.

– Urdhëro?! – e pyeta pa e kuptuar që po filloja të flisja me një pëllumb.

A thua dashuria po të bëka të humbësh arsyen, sidomos ajo e pashprehur! Këtë ia thash vetës, duke shikuar tani përreth, mos dikush po më shihte e do të më konsideronte si të marrë.

Duket se këtë e kuptoi pëllumbi që, megjithatë tani mori një kokërr nga dora ime, ndoshta për mirësjellje, apo ta fitonte vëmendjen time, për të gugatur sërish.

– Gu-gu, – çka po pret?!

I rrudha krahët, duke mos i dhënë përgjigje në pyetjen konkrete, por duke ia bërë me dije se kuptova gugatjen dhe tani më isha futur në bashkëbisedë me të.

Gu-guja e serishme ishte nxitje për t’iu ofruar kamerieres.

– Afroju, buzëqeshi, foli…, – gugati disa herë, për ta përdredhur kokën sërish, në një formë të çuditshme!

Një Zot e di sa kam dëshirë t’i flas, por ja që jam i ndrojtur dhe po më mungon guximi. Ajo më tremb me bukurinë e saj. Është fantastike dhe sikur po m’i pret këmbët, sa herë po dua të nisem drejt saj.

– Gu-gu, – Je qyqan, nuk je për asgjë!
– Mos fyej, – ia ktheva.

– Shko ulu, porosit. Pyete për emër, merrja numrin e telefonit, le takim…, ishin gugatjet si në kor të pëllumbit këshillëdhënës.

– Jo sot, ndoshta nesër më mirë, – ia ktheva.

Frikacak më quajti sërish. E kuptova këtë pasi ishte e njëjta gu-gu me herën e parë kur ma tha të njëjtën gjë.

Ia zgjata sërish shuplakën ta merrte dhe ndonjë kokërr. Refuzoi dhe zbriti fluturim poshtë ku çukiti një kokërr, duke ma lënë përshtypjen e një pëllumbi të nevrikosur.

– As sot nuk është dita për t’iu ofruar, por se e nesërmja patjetër, – e arsyetova edhe njëherë veten para tij.

Tani bashkëbiseduesi po i rrihte krahët më fortë, bashkë me të edhe pëllumbat tjerë i fërfëllinin krahët sikur të ishin trembur, për t’u ngritur lart.

U ngrita edhe unë nga ulësja dhe me hapa të ngadalshëm “fluturova” edhe njëherë bashkë me ta, në qiellin e pafund, por me premtimin që ia bëra vetes se do të kthehesha të nesërmen si guximtar e do t’i ofrohesha pëllumbeshës.

– Do të vijë mu si pëllumbi i bardhë i Noas, por për dallim prej tij, që në sqep mbante një degë të njomë ulliri, shenjë që tregonte se paqja ishin kthyer në tokë, unë do të mbajë në dorë një trëndafil ngjyrë zemre, si shenjë që ajo vazhdonte të rrihte si e çmendur, e trazuar nga ndjenja e dashurisë për të.

Përndryshe, po se mora dot guximin as nesër, kamerierja pëllumbeshë do të vazhdonte të ishte vajza që, ditën e sodisja me orë të tëra, e natën më vinte e më futej në ëndërr. E kur zgjohesha, mërzitesha, pasi që, ajo që më jepte kënaqësi të papërshkrueshme, sidomos kur ia puthja zemrën e vogël nën sy, kuptoja se ishte veçse një ndjesi e përjetuar në gjumë…!