Ka dyshime për manipulim me teste për COVID-19 në Kosovë
Ditëve të fundit ka një rritje të shpejtë të numrit të të infektuarve nga COVID-19 në Kosovë. Rritje kanë shënuar edhe rastet e vdekjeve nga kjo sëmundje.
Procesi i vaksinimit po shkon me hapa të ngadaltë. Deri më tani janë administruar gati 560 mijë vaksina. Mbi 366 mijë qytetarë janë injektuar me një dozë, ndërsa me të dyja mbi 192 mijë.
Por, edhe përkundër kësaj situate, MSH-ja dhe IKSHPK-ja po tregohen të butë në raport me masat anti-COVID.
Opozita po shprehet skeptike në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e qeverisë, derisa qeveria është krekosur se masat e marra ndikuan në uljen e rasteve deri në minimum, përcjell Albinfo.ch.
Por, më e keqja është se ka dyshime që po manipulohen edhe rezultatet e testeve RT-PCR dhe të tjera, që dëshmojnë nëse një person është i infektuar apo jo.
Zëri.info nga burime të mirinformuara ka mësuar se shtete evropiane po e konsiderojnë futjen e Kosovës në listë të kuqe për sa u përket udhëtimeve.
Kjo për arsyen se shumë qytetarë që tashmë po kthehen nga pushimet e tyre të kaluara në vendlindje për në vendet e tyre në Perëndim ku jetojnë dhe punojnë, ndonëse i posedojnë rezultatet negative të testeve të kryera në Kosovë, atje po dalin pozitivë.
Rastet më të shpeshta të këtilla po dalin në Gjermani dhe Zvicër.
Kjo i ka bërë autoritetet e këtyre dy shteteve, ku jeton numër i madh i bashkatdhetarëve tanë, që të mendojnë që ta konsiderojnë Kosovën si vend me rrezikshmëri të lartë të infektimit, dhe si pasojë të mbyllin kufijtë.
Raste të manipulimeve me teste për COVID-19 në Kosovë ka pasur edhe në të kaluarën.
Madje për shitje të certifikatave false të provës për testin COVID-19, policia e Kosovës kishte arrestuar dy persona në Pejë në fund të janarit.
Siç ka njoftuar policia, dy persona (një femër dhe një mashkull) janë arrestuar pasi që të njëjtit dyshohet se i kanë furnizuar qytetarët me dokumente të testit anti- COVID-19, të cilat ishin false.
“Njësiti relevante policore nga vendin e ngjarjes kanë konfiskuar: tre telefona mobil dhe dy shtëpiza të kompjuterit. Në konsultim me prokurorin e shtetit të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Qeveria e Kosovës njoftoi për disa masa shtesë kundër përhapjes së pandemisë.

