“Ka folur disa herë me Radojiçiqin”, Simiq thotë se “shpifjet” dhe “paditë” e Kusari-Lilës s’mund ta fshehin këtë fakt
Javë më parë, Nacionale publikoi përgjimet ndërmjet Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza-Kusari Lila dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, e ku përmes tij, ajo e para komunikonte edhe me të sanksionuarin famëkeq dhe në Listë të Zezë të ShBA’së, Milan Radojiçiqin. Kusari-Lila, i ka quajtur “akte penale” dhe “aktivitete dezinformuese” audio-incizimet ku ajo dëgjohet duke u koordinuar me politikanin e Srpska-s për një numër çështjesh parlamentare. Madje, të premten Kusari-Lila njoftoi në Facebook se ka ngritur padi kundër bashkëbiseduesit të saj. Në këtë kontekst, zyrtari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka reaguar duke mohuar akuzat e ngritura nga Mimoza Kusari-Lila duke thënë se asgjë s’mund ta fsheh faktin se shefja e Grupit Parlamentar të VV-së ka folur disa herë me Milan Radojiçiqin, në prani të tij.
Kusari-Lila – ndonëse protagoniste e këtyre bisedieve – tha se përgjimet dhe publikimi i tyre në media, janë “fushatë e sulmit ndaj meje dhe rrjedhimisht ndaj detyrës që unë mbaj, ndaj grupimit politik e institucional që unë i përkas”.
“Abuzimi ekstrem me këtë material të jashtëligjshëm do të përcillet tek të gjitha institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe publikimin e informacionit”, ka shkruar ajo.
“Për pjesëtarin e Listën Serbe, për porositësit e urdhëruesit e tij dhe për shpërndarësit e nxitësit e dhunës dhe urrejtjes në publik do të vijojnë denoncimet”, ka shkruar Kusari-Lila.
Pas padisë së Shefës së Grupit Parlamentar të VV-së, anëtari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka mohuar akuzat e ngritura nga Kusari-Lila përmes një prononcimi në T7.
Ai ka deklaruar se pretendimet e saj për regjistrimin dhe publikimin e bisedave të tyre janë krejtësisht të pavërteta.
“Ndonëse kam qenë nën presionin e mediave për t’u shprehur që në fillim të publikimit të komunikimit të përmendur, aludimet e fundit se unë jam prapa regjistrimit dhe publikimit të bisedave tona, që absolutisht nuk janë të vërteta”, – tha ai.
Ai ka thënë se Kusari-Lila po përdor këto gënjeshtra për të distancuar vëmendjen nga kërkesa e Listës Serbe dhe Milan Radojiçiqit për mbështetje.
“Më detyrojnë të mohoj gënjeshtrat me të cilat Mimoza Kusari-Lila dëshiron të largojë vëmendjen nga fakti se nga Lista Serbe dhe Milan Radojiçiq ka kërkuar mbështetje. Në emër të kujt dhe me urdhër të kujt, ajo e di më së miri. Ndoshta pikërisht nga frika e regjistrimeve të reja arsyeja e kësaj gjuetie mediatike kundër Listës Srpska, mua dhe zotit Radoiçiq, është heshtja dhe nëpërkëmbja e së vërtetës”, ka deklaruar Simiq.
Ai madje ka akuzuar Kusarin se “shpifjet” e saj nuk mund ta fshehin faktin se shefja e Grupit Parlamentar të VV-së ka folur disa herë me të sanksionuarin e SHBA-së, Milan Radojiçiq, në prani të tij.
“Shpifjet, gënjeshtrat dhe kallëzimet e sajuara penale të zonjës Mimoza Kusari-Lila nuk mund ta fshehin faktin se ajo ka folur disa herë në praninë time me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq dhe i ka kërkuar favore dhe mbështetje për votat e shumta në Kuvend”, – ka thënë ai.
‘Mohimi i pohimeve’
Pas përgjimeve të publikuara nga Nacionale ku ajo dëgjohej derisa e pranon se ka komunikuar me Millan Radojiçiqin në një bisedë me Sllavko Simiqin. Kusari-Lila ka vazhduar të mohojë një gjë të tillë.
Në një prononcim për Ekonomia-Online pak javë më parë, Kusari deklaronte se asnjëherë nuk ka komunikuar me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radojiçiq, pavarësisht se këtë e pranon edhe vetë në bisedën e përgjuar me Simiqin.
“Unë nuk kam as numër, as komunikim me Milan Radojçiqin. Unë i përmenda, kanë qenë dy përfaqësues institucionalë këtu që ishin, përderisa gjatë gjithë kohës i kam refuzuar dhe i kam rezistuar komunikimit me të dhe komunikimi çfarë kanë pasur Lista serbe me Milan Radojçiqin është çështje e tyre. Ata e kanë nënkryetar, ai dihet se si është dhe në Qeverinë Kurti është kthyer aktakuza dhe është kthyer urdhërarresti, prandaj edhe në momentin kur ai do të zihet ai do të arrestohet. Prandaj nuk ka ndonjë hapësirë për ndonjë komunikim tjetër në raport me këtë person,” – vazhdoi tutje ajo.
Madje, publikimin e përgjimeve, Kusari-Lila i kishe quajtur “përpjekja të dëshpëruara” për ta njollosur Qeverinë dhe pozitën.

