Ka ndërruar jetë mësuesi i Karadakut, Zejnë Demiri
Mësuesi Zejnë Demiri (Karadaku) ka ndërruar jetë sot. Në Grykën e Karadakut ai njihet si ikonë e arsimit, raporton Mediafokus.info.
Ish nxënësi i tij, Xhelal Hajrullahu e ka pritur me dhembje lajmin për vdekjen e mësuesit Zejnë.
“Me dhimbje mësova sot për humbjen e mësuesit tim të parë, një prej ikonave të arsimit në Zhegër, mësuesit hero, Zejnë Demiri.
Mësuesi Zejnë ishte një pasuri e madhe intelektuale ndër ne, një burim frymëzimi jo vetëm për armatën e mësuesve, por për mbarë komunitetin tonë, si njeriu i cili sfidoi vështirësitë e kohës dhe ata të terrenit, teksa punoi si mësues e ku arsimoi breza të tërë të tërinjve, të cilin e kujtojnë mësues Zejnë dhe sot.
Për mua, por dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër konsiderohej si një thesar që në pak kohë qëndrimi me të, të kthehej në leksion jete, teksa gjithnjë shpalosi virtytet e njeriut të urtë, burrit të zgjuar e simbolit të maturisë njerëzore.
Si ish-nxënës, por dhe si bashkëvendës i mësuesit Zejnë, i shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve duke u lutur që shpirti i tij të prehet në Paqe ashtu siç ai gjithnjë dhuronte Paqe”./Mediafokus.info

