Kamenica shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut është shënuar edhe në Komunën e Kamenicës, ku është organizuar një takim me qytetarët, me mundësi të drejtpërdrejt interaktimi.

Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, ka thënë se nëse nuk i dimë të drejtat tona do të jetë e vështirë të dalim nga problemet me të cilat përballemi.

“Në shoqërinë kosovare ka vakum të aplikimit të ligjit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut, nëse duam të krijojmë shtet ligjor dhe shoqëri të drejtë, atëherë nuk ka hapësirë të themi nuk e kemi ditur. Vazhdojmë të kemi dallime të mëdha në mirëqenie ekonomike. Dhuna në familje, korrupsioni, keqpërdorimi i pozitës zyrtare, varfëria e papunësia, të gjitha këto ndikojnë që dikujt t’i shkelet e drejta. Andaj, është e rëndësishme që të gjithë të jemi të vëmendshëm, por edhe të trajtojmë tjetrin me dinjitetin që e meriton”, ka thënë, mes tjerash, Kastrati.

Në këtë ngjarje ka folur edhe zyrtari ligjor pranë institucionit të Avokatit të Popullit, Shemsedin Mustafa, sikurse edhe koordinatorja e NJKDNJ-së Nazmije Demolli-Kastrati.

Përveç këtij takimi, gjatë ditës janë shpërndarë edhe fletëpalosje me informacione sa i përket të drejtave të njeriut dhe Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.