Kaosi politik dhe bajraktarizmi primitiv

Shkruan: Flurim Arifi

Të gjithë jemi dëshmitarë të një situate politike aspak normale në shtetin tonë. Në parim, zhvillimet politike askund në botë asnjëherë nuk janë normale. Mirëpo kur ka krizë ekonomike, shëndetësore, fatkeqësi natyrore etj., krijohet ose tentohet që të krijohet njëfar mirëbesimi në mes përfaqësuesve të partive politike, deri në kalimin e atyre situatave.  Tek ne ka ndodhur e kundërta, pandemia ka vënë në lëvizje ‘armiqtë politikë’. Këta përfaqësues politikë apo më mirë me thënë ‘burrështetas’ këtyre ditëve kanë treguar një papërgjegjësi total karshi situatës në të cilën jemi si popull.

Pa dashur të tingëllojë histerik apo pesimist, por duke u bazuar në zhvillimet aktuale politike, është e pamundur për një njeri normal apo shoqëri normale të mos shqetësohet me papërgjegjësinë që janë duke e treguar disa përfaqësues politik e që thirrën në emër të popullit vazhdimisht.

Duke i përcjellë zhvillimet socio-ekonomike nëpër botë rreth reagimit apo planifikimit të tyre kundrejt virusit vdekjeprurës, dhe në anën tjetër, reagimin e klasës sonë politike karshi kërcënimit që e kemi në vazhdimësi si në aspektin shëndetësorë, psikik, emocional, dhe padyshim financiar,  shoqëria jonë kosovare do të duhej të zgjohet nga ky militantizëm primitiv karshi këtyre politikanëve të papërgjegjshme.

Politika jonë në vend që të fokusohet në probleme reale, siç janë p.sh zhvillimi ekonomik, kjo do të jetë një ndër sfidat kryesore pas pandemisë. Shumë biznese të cilat e mbajnë gjallë këtë ekonomi fragjile do të kenë vështirësi të jashtëzakonshme në vazhdimin apo funksionimin e tyre. Kjo nënkupton shtimin e rasteve sociale, rritjen e ekonomisë jo formale, rritjen e krimit etj. Politikanët tanë janë fokusuar në mirëmbajtjen e ‘status quo’ e tyre në këtë shoqëri, duke krijuar kriza artificiale, me të vetmin qëllim që të tërhiqet vëmendja nga problemet reale që ka kjo shoqëri.

Rreth akterëve apo partitë politike

VV është në defanzivë politike. Papjekuria e tyre dhe papërvoja e tyre politike ka mundësuar partitë tjera që ta sulmojnë për jo konsistencë politike përgjatë këtyre ditëve që ka mbajtur (mjafton të shikohen vetëm vendimet apo qëndrimet rreth Serbisë). Për mendimin tim, VV është duke humbur shumë në luftën e saj karshi krijimin e Qeverisë së re. Ajo duhet që të fokusohet që elektoratin e vetë ta përgatisin për zgjedhjet e ardhshme, që shpejt do të vijnë.

PDK ende nuk është këndellur nga humbja (meritore) e fundit. Këta ende nuk janë duke e kuptuar që kanë humbur dhe që duhet të pranojnë gabimet/arsyet se pse kanë humbur. Për mendimin timin (tani) PDK nuk është dashur ta votojë mocionin e rrëzimit të Qeverisë Kurti, pasi që as nuk e ka krijuar as nuk ka patur nevojë ta rrëzojë. PDK ka bërë mirë që ka zgjedhur opozitën, mirëpo duhet të bëj reforma reale e jo kozmetike. Nëse ata nuk fokusohen në riorganizimin e Degëve, rezultati do të jetë jo i favorshëm.

LDK është në një situatë shumë të vështirë. Ka krijuar pakënaqësi të madhe si brenda strukturave dhe në popull. Nëse LDK-ja në kuadër të kësaj Qeverie të re, arrin t’i bëj dy gjëra: liberalizimin e vizave dhe arritjen e një marrëveshje real/kënaqshme në mes Kosovës dhe Serbisë, shoqëria kosovare ka mundësi që do ia ‘falë tradhtinë ndaj VV’.

AAK dhe NISMA/AKR këto parti politike dalëngadalë kanë filluar me marrë pozitën meritore, kanë me qenë gjithmonë paterica të Qeverive në ardhje. Ose në rastin më të keq/mirë për ta, kanë me hyrë në koalicionee të vazhdueshme me LDK-në.

Po ashtu shpresa dhe vëmendja këtyre ditëve ka me qenë tek Gjykata Kushtetuese e Republikës sonë rreth qëndrueshmërisë së shtetit tonë karshi situatave fragjile të mundshme.