Komandanti im, ti na mësove si duhet liria

Izmi Zeka

Komandant neve të gjallëve mos na merr për të madhe. Jemi krijesa njerëzore. Mund edhe të gabojmë. Mund edhe të vonohemi. Nuk arrijm në cak. Po ti komandant di të falësh se ke falur shumëherë.

Ti ke falur atëherë kur liria ishte larg, atëherë kur jeta numronte ditët. Prandaj komandant neve të gjallëve na fal për krejt çka bëjmë.

Neve gabojmë, jemi qenie njerëzore.

Ti fale edhe atëherë kur u ngrite në këmbë dhe thirre kushtrimin. Na kuptove neve.

Edhe kur zëri yt gurgullonte sikur në bjeshkët kur uji rrebesh shkon.

Ti edhe kur thërrisje për bashkim, neve na fale. Tani thonë ishte kohë e pakohë.

Prandaj komandanti im sot ti vjen dalngadal në mesin e qytetit aty ku jeta të bëri burrë.

Eh komandant kam shumë fjalë, por ngaherë po heshti. Edhe Çerqizi komandant luftoi deri në vdekje dhe s’u dorëzu kurrë. As edhe Hasani nuk rreshti deri në vdekje.

Komandant shumë kanë lënë eshtrat për këtë tokë. Nga Gjergji e deri sot.

Dikush erdhi më herët në rreshtat e historisë, dikush u ndal në mes të qytetit e dikush mbeti s’di as ku të them.

Prandaj na fal neve të gjallëve komandant.

Ne gabojmë, jemi krijesa njerëzore.Ti na kupton më së miri. E besa edhe na falë. Ke falur edhe atëherë kur nuk falej komandant.

Ti na fale edhe kur zëri yt buqiste në Gjilan që të bashkohemi rreth UÇK-së. Kur jeta numërohej në ditë.

Tani komandant po vjen aty ku e ke vendin, pas 20 viteve.

Dhe në fund, unë të njoha sa për të marrë pak dritë prej teje dhe aromë lirie.

20 vjet komandant Dulla të pritem. Na erdhe herë në libër, herë në poezi, herë në bronz e herë në fjalë, ashtu si ishe.

Ani, ne jemi kështu komandant.Ti e ke ditur këtë.

Unë po dal komandant, po iki ku të gjej vend në këtë botë të të gjallëve.

A ti je kudo dhe hija jote na përcjell gjerë e gjatë.

Ika komandant. Neve na falë nëse nuk arritëm të bëjmë atë që ti ke nisur.