Kaq persona mbi 85 vjeç janë vaksinuar në Gjilan

Nga dje në Komunën e Gjilanit ka nisur vaksinimi i personave mbi moshën 85 vjeçare, e deri tash janë vaksinuar afër 60 persona.

Shefi i shërbimit te vaksinimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Dardania” në Gjilan, Ismet Uruqi, tha se bazuar në regjistrin e tyre në këtë komunë janë mbi 800 persona mbi moshën 85 vjeçare.

Ai tha se të njëjtit janë regjistruar dhe tashmë në bazë të kritereve të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë thirren për të marr vaksinën antiCOVID. Deri më tash, Uruqi tha se nuk kanë pasur asnjë problem të shfaqur tek personat e vaksinuar.

“Nga dita e djeshme sipas instruksioneve të Ministrisë së Shëndetësisë kemi filluar me vaksinimin e moshave të vjetra. Këto ditë jemi duke punuar me moshat mbi 85, do të thotë ditën e djeshme dhe sot kemi vaksinuar dje dhe sot kemi vaksinuar afër 60 persona të moshës mbi 85. Edhe nesër do të punojmë me grupacione mbi 85 vjeç, ndërsa nga pasnesër tri ditë do të punojmë me grupmoshën 80-84”, tha ai, transmeton KP.

Ai tha se kjo kategori po vaksinohet në bazë të termineve që po u caktojnë, në mënyrë që të mos krijohen tollovi dhe të rrezikohet shëndeti i tyre.