Kaq po shitet një metër dru në Kosovë
Në tregun e Prishtinës, çmimi për një metër kub dru ka arritur 65 deri 70 euro. Nga shitësit e druve po vlerësohet si çmim i arsyeshëm, ndërsa nga qytetarët i papërballueshëm, raporton KosovaPress.
Një shitës i druve në kryeqytet, prapa kamerës së KosovaPress konfirmoi se deri në 70 euro është çmimi 1 m³ dru, i cili shton se ka edhe interesim të madh për blerjen e druve. Çmimin e lartë, tregtari e ka arsyetuar edhe me mungesën e punëtorëve dhe pagesat e larta për ta.
“70 euro metri i druve, ahu dhe bungu, si njëjtë shiten. Mu shit po shiten boll. Disa qytetarë ankohen, disa jo. Më së liri janë mbet drutë se s’ka punëtorë, 100 euro me i dhanë nuk vjen, thotë s’mundem me ardhur. Ky çmim ka qenë edhe vjet, si njëjtë është çmimi. Thotë dikush çmimi është 60 euro, rrenë është ajo “, thekson një shitës i druve.
Edhe një shitës tjetër i druve potencon të njëjtën për KosovaPress.
“Metri 65-70 euro, edhe ahu edhe bungu, si njëjtë shiten. Disa qytetarë po ankohen, disa tjerë po ndahen të kënaqur. Vjet metri u shkua diku 65-70 euro, ashtu njëjtë edhe sivjet”, thekson ai.

