Kastrati lë takimin me kryetarët e Anamoravës, shkaku i futjes së xhandarmërisë serbe në Kosovë
Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, e ka lënë në gjysmë takimin me kryetarët e Komunave të Anamoravës, për shkak të lajmit për futjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës.
“U desh të largohem në gjysmë të takimit dhe diskutimit me kryetarët e komunave të regjionit tonë për hapat që duhet të ndërmarrim si regjion për trajtimin e COVID-19 dhe në këto momente jam duke shkuar pranë atyre qytetarëve që po përballen me këtë situatë kërcënuese. Kjo është e papranueshme”, ka shkruar Kastrati, në faqen e tij në Facebook, transmeton Mediafokus.info.
Ai ka thënë se është e papranueshme hyrja e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, të shpallur gabimisht me marrëveshje të Kumanovës si zonë neutrale.
“Terrorizimi i banorëve të Karaqevës nga forcat serbe është i papranueshëm dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi edhe forcat e KFOR-it. Ajo zonë është përcaktuar si zonë neutrale (edhe pse gabimisht) dhe e vetmja forcë që ka të drejtë hyrje në atë zonë eshtë KFOR-i. Hyrja e xhandarmërise serbe në atë zonë dhe kontrollat që i bëjnë njerëzve është kërcënim direkt për qytetarët e Karaqevës në veçanti dhe për gjithë shtetin e Kosovës në përgjithësi”, ka thënë Kastrati./Mediafokus.info/

