Katër të rinj humbin jetën në një aksident trafiku me mopedë
Katër të rinj kanë humbur jetën në një aksident trafiku të mërkurën mbrëma në landin Brandenburg të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.
Aksidenti ndodhi pranë Biesenthalit, në verilindje të Berlinit.
Sipas policisë, një 61-vjeçar po tentonte të parakalonte disa automjete në një rrugë nacionale dhe hyri në korsinë e kundërt, ku u përplas me tre mopedë.
Në tre mjetet udhëtonin gjithsej katër persona, të moshave 14 deri në 19 vjeç.
Tre drejtuesit dhe një pasagjere humbën jetën në vendin e ngjarjes.
Një tjetër drejtues i mopedëve arriti të shmangte përplasjen dhe mbeti i padëmtuar.
Pas aksidentit, automjeti i shoferit mori flakë.
Ekipet e emergjencës arritën ta nxjerrin atë nga makina e përfshirë nga zjarri.
61-vjeçari, i cili kishte pësuar lëndime të rënda, u transportua me helikopter në spital.

