KBI korrigjon vetveten rreth zgjedhjeve të anëtarëve të Këshillit

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan ka shprehur mospajtime me shkrimin tonë rreth zgjedhjeve, që në të vërtetë i referohet një informate të botuar në faqen zyrtare të këtij institucioni fetar.

Duke mos u pajtuar me shkrimin tonë, kryeimami Ilaz Mustafa, njëherësh anëtar i KBI sipas pozitës zyrtare, ka dërguar këtë reagim.

 

Naim ef Aliu, rizgjedhet kryetar i KBI-Gjilan edhe për një mandat…!

Këshilli i Bashkësisë Islame i Gjilanit e ka përmbyllur procesin e zgjedhjeve për mandatin e ardhshëm katërvjeçar (2020-2024).

Zgjedhjet kanë shkuar në mënyrë të rregullt, pa asnjë parregullsi.

Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës, nëpërmjet vendimit nr.212/20, dt.14.02.2020, ka verifikuar mandatin e anëtarëve të Këshillit, si në vijim:

1) Naim Aliu – kryetar
2) Januz Leka, anëtar
3) Jusuf Mustafa, anëtar
4) Zijadin Leka, anëtar
5) Xhemaludin Kadriu, anëtar
6) Driton Bekteshi, anëtar
7) Nazmi Kazazi, anëtar
8) Rashit Zylfiu, anëtar
9) Mirsad Rexhepi, anëtar
10) Burhan Zejnullahu, anëtar

Këshilli i Bashkësisë Islame i Gjilanit, për këtë mandat i ka 11 anëtarë, ashtu që kryeimami Iljaz Mustafa është anëtar sipas pozitës zyrtare.

Funksioni i kryetarit dhe i anëtarëve të Këshillit të BI-së është funksion nderi, përfundon reagimi i KBI.

………………………………………..

Të gjithë këta emra i ka përmbajtur edhe informata jonë, pos që është konstatuar se në kryesinë e KBI-së janë zgjedhur dy vëllezër: Jusuf e Iljaz Mustafa, gjë që është e vërtetë.

Në informatën e parë të KBI nuk është thënë se Iljaz Mustafa, është anëtar sipas pozitës zyrtare.

Shkrimi ynë është bazuar edhe te reagimet e hoxhallarëve tjerë rreth përbërjes së Këshillit.

Fundja, hoxhallarët tjerë pyesin, nëse Iljaz Mustafa qenka anëtar sipas detyrës zyrtare, a është dashur që brenda një forumi prej 11 anëtarëve të jetë edhe vëllai tjetër.

Ne po e publikojmë reagimin e KBI, sepse qëllimi ynë nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë ndonjëherë njollosja e punës dhe vlerave personale të askujt, as mohimi i së drejtës për t`u zgjedhur e rizgjedhur, por nuk do t`i nënshtrohemi asnjë shantazhi apo kërcënimi për të hequr një shkrim nga portali.

Një kërkesë e tillë është absurde, po aq sa t`i thuash një imami mos shko të falësh në xhami./MediaFokus/