KEK tentoi ta mohojë kolapsin energjetik, por çfarë pritet të ndodhë nga nesër me rrymë?

Një “kolaps energjetik” pritet ta përjetojë vendi nga nesër si rrjedhojë e mungesë së theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike. Këtë gjendje e ka paraqitur sot kompania KESCO, e cila tha se në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit.

Në një deklaratë për KosovaPress, Haxhimusa theksoi se importi i energjisë elektrike ka një kosto dukshëm më të lartë sesa prodhimi vendor dhe se rritja e importeve mund të reflektojë drejtpërdrejt në rritjen e tarifave për qytetarët.

“Paqëndrueshmëria me furnizim të energjisë elektrike në Kosovë varet kryesisht nga qëndrueshmëria e gjenerimit nga impiantet gjeneruese të Kosovës A dhe Kosovës B. Si rrjedhojë vjetërisë së tyre, këto impiante janë të pa qëndrueshme dhe si rrjedhojë e kësaj kemi edhe ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike apo rritjen e nevojës për importe. Siç dihet importet me energji elektrike në Kosovë e kanë një çmim shumë më të lartë sesa gjenerimi vendor. Si rrjedhojë vjen edhe shtrenjtimi ose rritja e kostos së furnizimit me energji elektrike, për të cilën edhe KESCO bënë ftesë që të bëjmë kursim, ashtu që në vitin e ardhshëm të mos kemi nevojë për ngritje të tarifave ose përshtatje të tarifave për t’i mbuluar kostot e importeve shtesë që janë bërë në 2025…”, tha Haxhimusa.

Në fund, Haxhimusa bëri thirrje që institucionet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ndërtuar një strategji afatgjate.

Sipas njoftimit të KESCO-s, “në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit”, duke rritur ndjeshëm koston e furnizimit.

Krahas kësaj, përmes një shkrimi në Facebook, KEK njoftoi për një varg problemesh me të cilat është duke u përballur, duke thënë se Kosova A dhe Kosova B janë të stërvjetëruara dhe se po përballen me probleme teknike të paplanifikuara.

Për krizën e energjetike të paralajmëruar, ka pasur reagime nga shoqëria civile dhe nga disa parti në vend./KP/