Kërcënohet Vjosa Osmani, reagon KMDLNJ

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar përmes një mesazhi në gjuhën angleze në rrjetin social Twitter. Kërcënimi është raportuar në raportin 24 orësh të policisë, por siç merr vesh Express, rastin në polici nuk e ka lajmëruar vetë Osmani, por dikush nga stafi i saj.

“Sheshi “Ibrahim Rugova”, Prishtinë, 23.06.2020-16:37. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se në llogarinë e rrjetit social Twitter ka ardhur një kërcenim në gjuhën angleze. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e policisë.

Ndërkohë ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), i cili ka dënuar kërcënimin ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Përmes një komunikate për media, KDMLNj thotë se numri i atyre që kërcënojnë dhe po trajtohen nga drejtësia është i vogël.

“Sipas raportit të Policisë së Kosovës dhe burimeve brenda Kuvendit të Kosovës që i janë dhënë KMDLNj-së, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, zonja Vjosa Osmani, është kërcënuar përmes rrjeteve sociale. Nuk është hera e parë që udhëheqësit më të lartë të shtetit apo familjarët e tyre kërcënohen ndërkaq numri i atyre që kërcënojnë dhe trajtohen nga drejtësia është fare i vogël”, thuhet në deklaratën e KMDLNj’së.

KMDLNj ka kërkuar nga policia që të bëjë hetime të shpejta, në mënyrë që kërcënuesit të kapen dhe të sillen para organeve të drejtësisë.

“KMDLNj kërkon nga Policia e Kosovës përkatësisht nga njësia kundër krimeve kibernetike tē bëjë hetime të shpejta dhe profesionale në mënyrë që kërcënuesi /it të kapen dhe të sillen para organeve të drejtësisë. Kërcënimet që u bëhen bartësve më të larta të posteve në Kosovë në përgjithësi dhe në rastin konkret ndaj kryetares së Kuvendit , zonja Vjosa Osmani janë edhe sulme ndaj institucioneve të shtetit që i drejtojnë e që nuk duhet të tolerohen në asnjë mënyrë”, thotë KMDLNj.

“KMDLNj e dënon kërcënimin ndaj kryetares së Kuvendit duke e mbështetur punën e saj në kuadër të mandatit kushtetues sikur që kërkon të mos paragjykohet motivi apo kërcënuesit e mundshëm, deri në përfundim të hetimeve”, thuhet në komunikatë./mediafokus.info