Kërkimfalja e Prof. Sadri Ramabajës – akt i lirisë morale dhe përgjegjësisë qytetare
Dr Elez Elezi
Deklarata publike e Prof. Sadri Ramabajës, me të cilën i kërkoi falje kolegut Përparim Gruda, për cenimin e dinjitetit gjatë një debati televiziv, përfaqëson një moment të rrallë të përgjegjësisë morale në jetën publike kosovare.
Në një klimë komunikimi shpesh të ashpër dhe përçarëse, ku gabimi rrallë pranohet publikisht, Prof. Ramabaja zgjodhi një rrugë tjetër – atë të vetë-reflektimit dhe pranimit të fajit, si akt i vetëdijes dhe i pjekurisë morale.
Duke iu referuar filozofëve si Immanuel Kant dhe Hannah Arendt, ai e vendos kërkimfaljen përtej dimensionit personal: si një akt të lirisë etike dhe kontribut në pajtimin shoqëror.
Në thelb, kërkimi i faljes, siç e paraqet Ramabaja, nuk është nënshtrim, por shprehje e forcës morale – sepse vetëm ai që e njeh gabimin dhe përpiqet ta korigjojë e ruan integritetin e vet.
Ky gjest është një shembull i mirë për diskursin publik kosovar, i cili shpesh dominohet nga egoja, ironia dhe mungesa e respektit ndaj tjetrit.
Kërkimfalja e Prof. Ramabajës duhet parë si moment reflektimi kolektiv, që na kujton se dinjiteti njerëzor dhe kultura e respektit janë themel i shoqërisë demokratike.
Në fjalët e Arendt-it, “kërkimfalja është akt që rivendos botën” – dhe pikërisht këtë përpjekje për ta rivendosur respektin e ndërsjellë e vlerësojmë sot si një hap të rëndësishëm drejt një komunikimi më njerëzor e më të përgjegjshëm në hapësirën publike të Kosovës.
