Kërkohet paraburgim ndaj burrit që krijoi bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16-vjeçe

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit S.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet’’, nga neni 240 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 19 korrik 2020, në komunën e Vitisë, i pandehuri S.R., edhe pse ka qenë në dijeni se e mitura është nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet, me dashje ka krijuar bashkësi jashtëmartesore me të, me ç’rast e mitura tani është duke u trajtuar në QKUK në Prishtinë, për shkak të problemeve me shtatëzëni.

Me këto veprime dyshohet se i njëjti ka kryer veprën e sipërshënuar penale, për të cilën gjendet në ndalim 48 orësh, thuhet në njoftimin e PTH në Gjilan.