Kërkohet paraburgim ndaj një personi për vrasje në tentativë

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit E.H., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja në tentativë’’.

Sipas kërkesës ekziston dyshimi i bazuar se më datën 13 nëntor 2024, në Gjilan, i pandehuri E.H., ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin L.H., në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake verbale, me thikë e godet të dëmtuarin një herë në pjesën e shpatullës së majtë, ku pasi ndërhyjnë dëshmitarët dhe e largojnë i njëjti ikën nga vendi i ngjarjes, ndërsa, i dëmtuari  si pasojë  e plagës së marrë fillimisht dërgohet në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, pastaj për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore transferohet në QKUK.

I pandehuri E.H., që nga koha e kryerjes së kësaj vepre penale ka qenë në arrati, thuhet në njoftim.