Kërkohet paraburgim ndaj një të dyshuari për dhunë ndaj gruas dhe fëmijëve të tij

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata kompetente caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit A.  A., i cili në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar që i dyshuari A. A., në kohë të papërcaktuar, deri më 1 dhjetor 2019, në shtëpinë familjare në Viti, në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe dy djemve të tij, në atë mënyrë që i ka kanosur me fjalë, i ka keqtrajtuar herë pas here ,duke i rrahur, me ç’rast me veprimet e tij, përpos që ka cenuar rëndë dinjitetin e të dëmtuarve, ka shkaktuar dhembje, frikë dhe shqetësim të madh emocional tek ata.

Me këto veprime, dyshohet se ai ka kryer veprën penale ‘’dhuna në familje’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, më 1 dhjetor 2019, rreth orës 17:15 minuta, i dyshuari A. A, me dashje dhe me qëllim të dëmtimit të integritetit trupor, ka lënduar bashkëshorten e tij, të dëmtuarën V. A., ashtu që pas një mosmarrëveshje verbale, për motive xhelozie, në prani të fëmijëve, ia merr telefonin nga dora dhe me të e godet në kokë, duke i shkaktuar qarje të thellë, ku pastaj nuk e lejon djalin që ta dërgojë për trajtim mjekësor, por e dërgon vetë, ku gjatë rrugës e kërcënon që të gënjejë se kinse ishte vetëlënduar, për çka edhe e dëmtuara detyrohet të gënjejë se kinse është lënduar në mobile.

Në këtë mënyrë, A.A., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, të KPRK-së, thuhet në komunikatën e Zyrës për komunikim publik të Prokurorisë Themelore në Gjilan.