Këshilltarja e Pecit, nxehet për publikimim për 80 mijë euro pije

Këshilltarja e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, Flutura Mustafa nuk e ka pritur aspak mirë raportimin se ministria ku është angazhuar para pak kohësh, ka planifikuar të shpenzojë 80 mijë euro për pije.

Edhe pse mbanë pozitë të lartë, ajo duket se nuk e ka idenë që në institucionin e udhëhequr nga Peci procedurat e prokurimit për të bërë blerjet kanë filluar.

Gazeta Infokus ka raportuar gjatë ditës për këtë rast duke iu referuar dosjes së tenderit të publikuar në faqen zyrtare të Prokurimit Publik.

“Shërbime me pije për nevoja të MBPZHR-së”, pritet t’i kushtoj kësaj ministrie rreth 80 mijë euro, shkruan Gazeta Infokus.

Por një gjë të tillë këshilltarja e Pecit, Flutura Mustafa e quan të pavërtetë.

“Duke u nisur nga disa shkrime dhe publikime tendencioze në portale pa reputacion si dhe deklarata të disa deputetëve në lidhje me shpenzimet për pije të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, më lejoni që t’iu njoftoj se shpenzimet e Ministrit Faton Peci për dreka zyrtare dhe pije janë 0.00 euro”, ka thënë Mustafa.

Ajo madje ka deklaruar se Peci nuk i shfrytëzon as të drejtën që i takon me ligj për reprezentacion mujor në vlerë prej 500 euro.

“Se Ministri Faton Peci nuk është ithtar i shpenzimeve të panevojshme e dëshmon edhe mos-shfrytëzimi i së drejtës për reprezentacion mujor në vlerë prej 500 euro, e drejtë kjo që i takon me ligj”, ka shkruar ajo.