Kështu nuk bënë, me thika mes vete!

Arsim Kastrati

Kaq shumë inatë dhe armiqësi në mes vete nuk është mirë të kemi!

Kjo mund të jetë paralojë e theqafjes, parathënie e së keqës, për të cilën si duket me një belle ignorance fare nuk qajmë kokën!

Të yshtur nga hidhërimi ndaj njëri tjetrit deklarojmë: presidenti është noter e tradhëtar, kryeministri është bolshevik dhe partia e tij organizatë terroriste, kryetari i LDK-së është argat i Serbisë ndërsa LDK -ja pas arëdhëse e lidhjës së komunistëve të ish Jugosllavisë, UÇK-ja vrasëse e civilëve serb dhe aktivistëve të LDK-së, PDK-ja partia e hajnave, etj, etj, etj!

Hajde t’i vëmë pak fre gjuhës o vëllezër e motra, e të flasim me njëri tjetrin pak më qetë, me fakte dhe pa ofendime!

Në njërën anë pandemia e në tjetrën Serbia, punojnë pandalshëm për ta rrënuar qenien tonë, shtetin tonë të përbashkët, kurse ne në vend se t’u qasemi ashtu si duhet atyre, po i qasemi pajanda njëri tjetrit me fjalë të rënda, me fjalë nënçmuese, leçitëse dhe linçuese!

Dhe ku na qon kjo mënyrë? Dikah mirë sigurisht se jo.

Zgjohu o popull, shih lajmet ndërkombëtare e mos u argëto me tragjikomedinë e politikës së brendshme kosovare!

Lexo o popull e merr vesh se Serbia nuk është më ajo që ka qenë në fundshekullin e kaluar!

Ate më askush për asgjë nuk e akuzon, me te të gjithë bisnes bëjnë, të gjithë partner ekonomik e politik e konsiderojnë dhe kur ankohet si zakonisht për ne, edhe miqtë tanë i vënë vesh e dëgjojnë.

Kujdes o vëllezër e motra, se nuk e kemi luksin njëri tjetrit ‘sytë me j’a nxjerrë’, por na duhet marrveshje, na duhet konsensus politik, na duhet bashkim kundrejt pandemisë dhe kundrejt bisedimeve me Serbinë!

E mbani mend se si para 30 e sa viteve, njëherë ja patëm falë gjaqet njëri tjetrit, u patëm pajtuar dhe u patëm bashkuar, sepse e dinim atëbotë më mirë se sa sot, që vetëm të bashkuar e jo të përçarë mund t’a përballojmë sfidën e madhe që na rrinte te pragu i derës.

Edhe sot pa sfida të mëdha nuk jemi, edhe sot punët hiq mirë s’i kemi, vetëm se nuk e di a po e shohim këtë apo jo?!

Pa dashur të shprehem me klishetë e politikanëve tanë po them: njëmend hajde t’i heçim duart e Serbisë përfundimisht nga vendi ynë, hajde t’a përfundojmë ndërtimin e godinës së shtetit tonë të përbashkët!

Këto momente janë shumë të rëndësishme për fatin tonë të përbashkët, ose do të vazhdojmë përpara ose do të rrëshqasim prapa.

Të qëndojmë në vend edhe po të duam s’kanë me n’a lanë sepse nuk kemi aq forcë sa t’i ndalojmë.

Bashk edhe mund t’ja dalim, me thika ndaj njëri tjetrit, JO!

Fre gjuhës o vëllezër, ajo është e butë por thyen eshtra!