Kështu po vetëdijësohen nxënësit e Gjilanit për mbrojtje nga Coronavirusi

Kampanjës së Ministrisë së Arsimit për vetëdijësimin e nxënësve për mbrojtjen nga virusi vdekjeprurës Coronavirusi, i janë bashkangjitur edhe nxënësit e Gjilanit.

Mësimdhënësit e shkollës “Vatra e Diturisë” kanë nxjerrë pamje nga kampanja për edukimin e nxënësve, duke u vlerësuar si mburoja më e mirë, transmeton Mediafokus.info.

Ja shkrimi i plotë i mësimdhënësit të kësaj shkolle, Zaim Zymeri:

Edukimi i vazhdueshëm, mburoja më e mirë

Sot, me kërkesë të Ministrisë së Arsimit të Shkencës e Teknologjisë (MASHT-it), në të gjitha shkollat e Ciklit Fillor dhe atij të Mesëm të Lartë në nivel vendi, ora e parë e mësimit iu kushtua temës, “Ngritja e vetëdijësimit të kujdesit shëndetësor tek nxënësit”.

Ne, dhe shkolla jonë “Vatra e Diturisë”, iu bashkuam këtij karavani dhe kësaj kampanjeje, mirëpo jo nga e para, por nga prizmi dhe këndvështrimi se; “Përsëritja është miku më i mirë, i diturisë”.

Sot, nxënësit tanë, edhe më tepër kuptuan rëndësinë e marrjes së masave parandaluese dhe faktorëve të cilët ndikojnë në ruajtjen e shëndetit, nga sëmundjet dhe epidemitë e ndryshme, të njohura e të pasnjohura.

Vërtetë, përhapja e virusit tani më të njohur botërisht, “CoronaVirusi apo Virusi mbretëror”, me shpejtësi aq të madhe, ka shtyrë shumë institucione e institute, që për parandalimin e tij, të veprohet me urgjencë, përndryshe pasojat mund të jenë të mëdha.

Edhe atëherë, kur ishim të panjoftuar me “Virusin Mbretëror apo CoronaVirusin”, shkolla jonë, Ne dhe nxënësit tanë, vazhdimisht gjatë aktiviteteve tona në hapësirat e shkollës dhe jashtë saj, kemi qenë të njoftuar për rëndësinë e pastërtisë, vlerën e ambientit të pastër e shëndetit, si dhe vlerën e përdorimit të mjeteve mbrojtëse higjienike, si; maska, dorëza, etj.

Më poshtë, po i postoj dy aktivitete shumë të rëndësishme, të cilat i kemi realizuar bashkë me nxënësit tanë;

  1. Më datë; 20 qershor 2019, kemi realizuar një vizitë, tek Kompania e Pastrimit “ECO-HIGJIENA” – në Gjilan, ku nxënësit tanë në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për punën që bëjnë punëtorët e kësaj kompanie, u kanë dhuruar një tortë me mbishkrimin “FALEMINDERIT”.
  2. Më datë; 17 tetor 2019, bashkë me nxënësit kemi realizuar një aktivitet për pastrimin e shkollës dhe hapësirës rreth saj. Ku nxënësit, kanë qenë të pajisur me mjete mbrojtëse higjienike, ashtu siç kërkohet me kodeks sanitarie*.

*Coronavirusi – për herë të parë u paraqit në muajin dhjetor 2019 në Vuhan të Kinës, kurse aktiviteti me nxënës u realizua në muajin tetor 2019 (dmth dy muaj të plotë më heret).

Shpresojmë të vazhdojmë edhe më tej me aktivitete e projekte të tjera, të kësaj natyre!

Uji që rrjedh, pihet! E, veprat më të mira janë ato të cilat janë të vazhdueshme, edhe nëse janë të pakta!/MediaFokus/