Këta dy shqiptarë dolën ndër kandidatët më të votuar për këshilltarë komunalë në Austri
Dy kandidatë shqiptarë, Miftar Kastrati e Bekim Thaçi kanë fituar në zgjedhjet e 26 shtatorit në Austri. Ata do të jenë pjesë e Këshillit Komunal për gjashtë vjetët e ardhshme në komunat ku jetojnë.
Miftar Kastrati ka garuar në listën e Partisë Popullore te Austrisë, në qytetin e Vöcklabruck-ut. Ai është renditur ndër kandidatët më të votuar në këtë qytet.
Kastrati është nga Klina, ndërsa prej shumë vjetësh është anëtar i partisë së ÖVP-së. Ai jeton në Vöckalbruck dhe udhëheq një kompani për sigurime “Kastrati Group”.
Fitore ka arritur edhe Bekim Thaçi. Ai ka garuar nga lista e Partisë së Gjelbër në komunën Aschach an der Donau, po ashtu në landin Austri e Epërme.
Edhe Bekimi ka dalë i treti si kandidat më i votuar nga partia e Gjelbër.
Bekimi erdhi nga Kosova në Austri në vitin 1997. Ai jeton me gruan dhe dy fëmijët në Aschach/Donau. Kohën e lirë e kalon duke lexuar apo duke punuar në kopsht. Po ashtu, Bekimi është edhe anëtar i Shoqatës Kulturore – Sportive “Anadrini” në Aschach/Donau.
Në Partinë e Gjelbër, Bekimi është anëtarësuar në vitin 2009, ndërkohë nga viti 2015 ka qenë asamblist në dikasterin e arsimit (Schulausschus) në komunën e Aschach an der Donau. Nga viti 2014 punon si vullnetar në Ndihmën e Shpejtë, kurse prej 2017 është zëvendësanëtar i Komitetit Social.

