Këta ishin babë e bir që vuajtën dënimin në një dhomë burgu
Raif Halimi – Cërnica, një figurë e shquar atdhetare, dallon nga të burgosurit tjerë politikë të kohës së ish-Jugosllavisë, për faktin se vitet e vetmisë nëpër burgje i kaloi duke shkruar historinë shqiptare dhe vepra tjera, nëpër qoshe gazetash, të cilat i ruajti me xhelozi në një thes.
Iku nga kjo botë 33 ditë para se të vinte liria në Kosovë, për të cilën u sakrifikua tërë jetën e tij. Lufta ia rëndoi gjendjen shëndetësore më shumë se sa vitet e gjata të burgut.
Kadri Osmani, me rastin e vdekjes së tij, pat thënë se Raifi ishte atdhetar i madh dhe njeri me dije të thellë. Vinte nga një familje me traditë patriotike e atdhetare. Babai i tij Ramiz Cernica njihet për “JO”-në e madhe që e kishte thënë në mbledhjen e dytë të Prizrenit (1945), kundër bashkimit me Serbi.
Ramizit i bie të takohet në burg me djalin Raifin në burgun e Mitrovicës së Sremit, ku zakonisht dërgoheshin të burgosurit politikë shqiptarë, të dënuar mbi dhjetë vite e më shumë.
Atdhetari Raif Halimi ishte dënuar nga gjykatat e atëhershme, fillimisht me vdekje, por më vonë dënimi iu zbrit në 20 vjet burg. Ai pati fat që të bashkohet me babanë në një dhomë burgu, derisa autoritetet nuk e kuptuan lidhjen e tyre dhe i ndanë.
Në këtë burg, Raifi i kaloi 18 vite, por nuk qëndroi duarkryq. Ai gjeti mënyra që të punojë për kombin e tij edhe i mbyllur. Shkroi librin “Historia jonë kombëtare”. Për fat të keq, hetohet nga policia e burgut dhe dorëshkrimi i merret. Ky material, siç thonë disa të afërm të tij, gjendet diku në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Për këtë dorëshkrim, Raif Halimi dënohet me 8 vjet burgim në vetmi. Përsëri, Raif Halimi nuk qëndroi duarkryq. Në kushte tepër të rënda, ai hartoi Fjalorin e parë shqip-serbokroatisht. Pra, me pranga në duar shkroi ‘Historia jonë kombëtare’ dhe ‘Fjalori shqip-serbokroatisht’./Mediafokus.info

