Këta janë kandidatët më të votuar të koalicionit AAK – Nisma

Derisa procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë o vazhdon, gazeta Nacionale ka siguruar listën e kandidatëve më të votuar të koalicionit AAK – Nisma.

Me rreth 70 për qind të votave, më i votuari në këtë listë është kandidati i këtij koalicion për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Pas tij, renditet Daut Haradinaj, kurse i treti në listë është kryetari i Nismës, Fatmirë Limaj.

Sipas listës që e ka siguruar gazeta, Ramush Haradinaj ka marrë 32164 vota, Daut Haradinaj 19030, Fatmir Limaj 16454, Time Kadrijaj 11366, Bekë Berisha 10899, Lahi Brahimaj 8820, Arber Tolaj 7598, Albana Bytyqi 7581, Ardian Gjini 7408, dhe Bashkim Ramosaj 7312.

Ajo që bije në sy në këtë listë është se shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së në legjislaturën e kaluar, Besnik Tahiri, duket se nuk e ka marrë mbështetjen e duhur për të qenë deputet në këtë legjislaturë.

Kurse, Haki Abazi, i cili kishte kaluar në AAK nga VV-ja i ka marrë 1160 vota.

Mirë me vota nuk qëndrojnë as kandidatët për deputetë të subjekteve më të vogla në këtë koalicion.

Nuredin Lushtaku nga lista “Ideali” deri me tani ka marrë vetëm 4626 vota. Kurse, Artan Nimani nga Forumi Intelektual E-30 ka marrë 3284 vota.

Burimet brenda këtij koalicioni kanë bërë me dije se në këtë numëron mungojnë një pjesë e konsiderueshme e votave nga Komuna e Pjesës.

Gjithashtu mungon edhe një pjesë e votave nga Prizreni dhe Prishtina.

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se do të vazhdojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 qendra komunale të numërimit.

Deri dje, ishin numëruar 73.23% e vendvotimeve.

Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat është duke vazhduar apo ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, deri në përfundim të ditës së diel, 16 shkurt, janë numëruar 73.23% e vendvotimeve apo 1,855 nga 2,533. Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në 19 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Deçan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Procesi i numërimit do të vazhdojë ditën e martë, në 19 Qendra Komunale të Numërimit”, njoftoi KQZ-ja./nacionale/