Këta janë tre të dyshuarit në Gjilan që u arrestuan për vjedhje

Një grup prej tre personash janë arrestuar gjatë ditës së djeshme për disa raste të tilla në Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.

Tre të arrestuarit po dyshohen se në bashkëveprim kanë vjedhur dhe shitur gjësende të vjedhura. Ndaj tyre, tashmë është urdhëruar masa e ndalimit policor.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se të dyshuarit janë Flamur Shabani, Blendi Krasniqi dhe Rines Sahini.

Ata po dyshohen për vjedhjen e 24 prillit në një shtëpi në Gjilan, ku kanë arritur që të marrin disa armë, stoli të ndryshme, veshmbathje, pajisje e gjësende të tjera, duke shkaktuar dëme rreth 5 mijë euro.

Ndërsa njërën nga armët e vjedhura, dy të dyshuarit e parë e kanë shitur te i dyshuari i tretë.

Kurse rasti tjetër ka ndodhur po ashtu këtë vit në Gjilan, ku dy të dyshuarit kryesorë janë futur në një shtëpi, ku kanë vjedhur televizorë, pajisje teknologjike e gjësende të tjera.

Lidhur me rastin, Policia tashmë ka siguruar provat e nevojshme që dëshmojnë përfshirjen e të dyshuarve në këto raste.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.