Këtë të shtunë përmbyllet “Vjeshta letrare e Gjilanit”

Këtë të shtunë, më 16 dhjetor 2023, në Gjilan, me paraqitjen e veprave të botuara, përmbyllet “Vjeshta letrare…”

Pas një rrugëtimi mbi dymujor, ku u realizuan 8 veprimtari të ndryshme letrare, (dy gjatë tetorit e nga tri gjatë muajve nëntor e dhjetor), kësaj të shtuneje, më 16 dhjetor, ora 12:00, në Bibliotekën e qytetit në Gjilan, me paraqitjen e botimeve të reja në prozë, kritikë letrare e publicistikë, përmbyllet edicioni i 14-të i Manifestimit maratonë, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, thotë Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Clubit “Beqir Musliu”.

Një vështrim përmbledhës për këto botime, do t’i paraqitet publikut të pranishëm si dhe të tjerëve përmes incizimeve dhe storieve në portalet tona audio vizuele e televizive nga kritiku letrar, magjistri Arsim Halili.

Më pas, theksi do të fokusohet te libri studimor i Anton Nikë Berishës, “Mbi dy kryevepra lirike të Gjergj Fishtës, ku do të referojë Ajete Zogaj, kritike letrare nga Prishtina, si dhe te libri me tregime i Afrim Demirit nga Ferizaj, “Figura e 17 “, për të cilin do të flasin, Nexhat Rexha e Biser Mehmeti, që të dy, emra të njohur tashmë për publikun kosovar e më gjerë.

Veprat tjera si, “Një gjakim i pafat” i Hasan Bunjakut, “Frynte shumë erë” i Nasi Lerës , “Ideologjia serbe e gjenocidit” dhe “Shprushje nëpër vargjet që nuk zbehen” të një Grupi autorësh janë përuruar në veprimtaritë paraprake gjatë kësaj “Vjeshte…”.

Ndërsa për romanin e shkrimtarit të shquar, Ramadan Rexhepi, do të organizohet një veprimtari tjetër letrare, në momentin që ai ka mundësi të vijë në Kosovë e ku do të përfshihet dhe romani “Ura e ëndrrave”, i botuar vitin e kaluar nga ana e Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”.

Të pranishmëve, në fund, në shenjë mirënjohjeje, do t’u shpërndahet numri më i ri i revistës AGMIA, i cili i përkushtohet shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare, që këtë vit u nderua me Çmimin letrar “Beqir Musliu”.