Këto do të jenë gjobat e reja për shkeljen e masave Covid-19 në Zvicër

Qeveria Federale ka caktuar sot shumën e gjobave për shkeljet e rregullores Covid-19. Por, ato nuk hyjnë menjëherë në fuqi pasi që janë duke vazhduar konsultimet përkatëse me kantonet, shkruan srf.ch.

Sidoqoftë, Ministria e Drejtësisë (EDI) sugjeron gjobat si vijon:

50 franga për shkelje të vendimit për ndalim të tubimeve të njerëzve ose për ata që nuk mbajnë maskë kur janë duke ushtruar të drejta politike (tubime, mbledhje nënshkrimesh). Edhe ata që nuk përdorin të dhënat e kontaktit në mënyrë të përshtatshme mund të jenë përgjegjës për ndjekje penale.

100 franga për mos mbajtjen e maskave të fytyrës aty ku kërkohet. Shkeljet në këtë drejtim (mosmbajtja e maskës) në hapësirat publike nuk duhet të dënohen.

100 franga gjobë parashihet edhe për shkeljet e detyrimit për t`u ulur në mensat e ndërmarrjeve dhe restorantet e hoteleve.

Të gjithë ata që bashkohen në një mjedis privat ku lejohen vetëm 5 persona, duhet gjithashtu të gjobiten me 100 franga.

Megjithatë, urdhëresa këtu ka parasysh “një sens të masës” që duhet ta kenë organet e kontrollit.

Organizimi i ngjarjeve private të ndaluara kushton 200 franga, përcjell albinfo.ch.

Shkelje të vogla të dukshme të rregullave të higjienës dhe sigurisë në zonat e skive, mund të dënohen maksimalisht deri në 300 franga.