Këto ishin gjimnazistet e para të Karadakut
Shkolla shqipe ka bërë një rrugëtim të vështirë, jo vetëm në fillimet e saj, por edhe më vonë, kur u përzu nga objektet dhe u ndoq nga pushteti serb, shkruan Mediafokus.info
Nëpër sfida të tilla kaloi edhe Gjimnazi “Zenel Hajdini”, një vatër e hershme e arsimit shqip në komunën e Gjilanit, i cili në vitin shkollor 1972/1973 i hapi paralelet e veta edhe në Zhegër.
Merita për këtë i adresohet intelektualit arsimdashës, Ismail Kadriu, shkruan portali mediafokus.info
Në gjimnazin e Zhegrës u regjistruan nxënës nga Llashtica, Lladova, Nasala, Haxhajt, Selishta, Kurexhajt, Çeliku, Godeni, Shurdhani, Lipovoca, Pidiçi, Remniku. Kishte edhe nga Vitia, Kumanova e Presheva.
Punëtori Nazim Idrizi (tani i ndjerë) i bartte profesorët nga Gjilani në Zhegër dhe anasjelltas me një makinë “Fiat”.
Hapja e gjimnazit krijoi mundësi për shkollim edhe të femrave. Në vitin e parë, këtu u regjistruan disa vajza. Profesori Tefik Selimi, tani i ndjerë, rikujtonte se ato vinin në shkollë me kule (dimi).
Mësimet, gjatë vitit shkollor 1973/1974 i vijuan këto vajza: Mirishahe Idrizi, Nazmije Bajrami, Fakije Selimi, Mirije Selimi, Ylbere Kadriu, Fatmire Isufi, Farije Latifi, Miradije Halili, Hava Idrizi, Nazlije Rexhepi, Qefsere Isufi, Arife Murseli e ndonjë tjetër. Nga Presheva ishte Akile Rashiti dhe ndonjë tjetër.
Disa prej tyre dolën arsimtare, si: Mirishahe Idrizi, Nazmije Bajrami, Fakije Selimi, Mirije Selimi, Ylbere Kadriu, Fatmire Isufi etj. /Mediafokus.info

