E gjallë në mesin e një shoqërie të “vdekur”!

Afrim Hyseni

Shkurt e thërrasin Ela. Vetëm 14 vite të jetës së saj, u rrit në gjirin dhe ngrohtësinë familjare. Më pas u përmbys gjithçka për jetën dhe familjen e saj.

Ajo përjetoi tmerrin brenda dhomës ku i kishin ngujuar forcat kriminale serbe. Ishte aty brenda me nënën Shemsije, tri motrat, Vezirja, Fatmirja, Albulena dhe dy vëllezërit, Rexhepi dhe Agroni.

Kur kriminelët serbë hodhën bombën e parë në dhomë, u kthye gjithçka në dridhje, zhurmë e zëra tmerrues.

Aty mori plagë në këmbë e duar, e sidomos traumë.

Një forcë e ardhur nga Zoti, e udhëzoi, i dha fuqi që të kërcejë nga dritarja, dhe sot, është e gjallë HEROINA!

Brenda dhomës i vranë e më pas i dogjën: nënën, tri motrat dhe dy vëllezërit. I vranë e i dogjën kriminelet serbë edhe 34 anëtarë tjerë, familjarë të axhallarëve të Eles.

Gjithsej 40 anëtarë, vetëm nga familja Muçolli.

Masaker kjo e njohur në opinion si masakra e Poklekut.

Eles i shpëtoi vetëm babai që ishte ushtar në UÇK.

Ajo e mbijetoi krimin, gjeti forcë e kurajë për ta vazhduar jetën. U kujdesen për rritjen e saj, axha Rrahamani, djemtë e axhës dhe dajallarët, që shpëtuan nga lufta.

Ela është HEROINA e mbijetuar e krimit serb në Poklek, që në heshtje e përballoi atëherë dhe sot, dhimbjen dhe tragjedinë.

Asaj iu shua e gjithë familja në rrugën e rëndë të çlirimit të Kosovës.

Ajo jeton me kujtimet e fëmijërisë, kur ishin të gjithë bashkë, me kujtimet e nënës, që aq shumë ishte e lidhur me të, me kujtimet e babait, që ishte celula e parë e UÇK-së në lagje.

Jeton me kujtimet e motrave, kur loznin e shkonin bashkë në shkollë dhe tek dajtë.

Por…kujtimi për dy vëllezërit, të moshave 9 dhe 13 vjeç, shpeshherë ia merr FUQINË e QËNDRESËS…!!!

– “Kur e kujtoj Rexhën 13 vjeçar, i cili barte emrin e gjyshit, humbi në kujtime…dhe koha me kthen aty tek ai. Fare pak dallonim nga mosha, ishim rritur pothujse bashkë, kishim vetëm 2 vite në mes. Kur kujtoj aftësinë psiqike dhe fizike të tij, vullnetin e tij për jetën, dashurinë që na falte…etj”!

Qysh në atë moshë zotronte çdo gjë, dhe kuptonte çdo detaj të rrethanave…Ishte i pandashëm nga babi dhe shokët e tij.

Qysh kur filloi lufta u mishërua aq shumë me uniformën dhe UÇK-në, çdokund u shërbente me gjithë fuqinë që kishte, pa u ndarë asnjëherë nga ata.

Ndodhi veç një herë, një natë para tragjedisë, kur babi pa dëshirën e Rexhës, si me urdhër i tha:

“Rexhë, rri me familje, se këta do të shkojnë për Shqipëri, e atje jeni të gjithë më të sigurt…!!!”

Në atë moment, mbaj mend si sot, Rexha, nxori nga xhepi nja pako cigare dhe një laps kimik, ia futi në xhepin e jelekut-uniformë babit, duke e përqafuar…!!”- shprehet Ela !

Elës, pas luftës i vdes edhe babai Elmiu. Ajo tanimë, ka krijuar familje dhe jeton në SHBA.

Kosova e pas luftës, klasa politike dhe shoqëria shqiptare e Kosovës, fare pak e dijnë kush është Ela-Elhame Muçolli, dhe çfarë humbi AJO… në rrugën tonë të çlirimit.

Kosova dhe shoqëria jonë, nuk u kujdesen asnjëherë për Elen e GJALLË.

Ajo nuk mori asnjë gjë nga atdheu i saj, për të cilin iu shua familja. Nuk mori asnjë vend pune, derisa dikush mban 4-5 vende pune.

Nuk mori asnjë MIRËNJOHJE FALENDERIMI nga askush, për gjakun që iu derdh për lirinë e atdheun të saj.

Kosova, nuk ka vend për Elën!!!

Tragjeditë kombëtare, që me vetdije dhe pa të, i mohojmë, i harrojmë, i nëpërkëmbim, dhe nuk i nderojme me vepra konkrete, ne mohojmë vetëveten tonë, si shoqëri dhe si komb.

Si shkas i kësaj, jemi të dënuar të na përseriten dhe të na vije e keqja, pa ditur se prej nga na vjen.

Kjo edhe na ka ndodh, nëpër etapa të historise.

Askush nuk është më tepër skllav, se sa ai/ajo, që mendon se ky vend është çliruar pa gjak!

(Foto 1: Pranë dritarës së dhomës ku ka kërcyer dhe shpëtuar në prill 1999!
Foto 2: Poklek 2022!)