Këto janë vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë
Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e 94-të me radhë, ku janë miratuar 24 vendime.
Në një komunikatë për media, Zyra për Komunikim Pubik e Kryeministrisë, është bërë e ditur se cilat janë të gjitha vendimet që janë marrë sot.
Komunikata e plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje të rregullt, në të cilën ka miratuar njëzet e katër vendime.
Në vazhdimësi të masave mbrojtëse për konsumatorët dhe operatorët ekonomikë, në kuptim të rregullimit të çmimeve të produkteve të naftës, u plotësua dhe ndryshua Udhëzimi Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse.
Qeveria ndau mjete buxhetore për zbatimin e masës 3.7 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, si dhe miratoi vendimin në lidhje me zotimin e ndërmarrë më parë nga Qeveria për të subvencionuar tarifat e konsumatorëve, në vlerë 41 milionë euro. Po ashtu, Avokaturës Shtetërore iu ndanë 500.000 euro.
U themelua Komisioni Ekzekutiv për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si grup ndër-institucional që do të jetë përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në BE.
Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, u miratua vendimi për vazhdimin e mbështetjes nga Qeveria, për qëndrimin e gazetarëve ukrainas në Republikën e Kosovës.
Me qëllim të forcimit të zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e fëmijës, u miratuan udhëzimet administrative për Autoritetet përgjegjëse për realizimin e të drejtave të fëmijës, si dhe për Këshillin për të drejtat e Fëmijës.
U miratua Koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë, që do të vendosë themelet për strukturë të qëndrueshme për zhvillimin e fuqisë kreative të Kosovës.
Është miratuar edhe vendimi përfundimtar per shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës, në zonën kadastrale: Palaj (Caravodicë) të Komunës së Obiliq.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme shoqërore “Kooperativa Bujqësore 23 Nëntori”, të cilat janë prekur nga realizimi i projektit: Zgjerimi dhe Rehabilitimi i Rrugës ekzistuese në fshatin Bajgorë, zonat kadastrale: Selac dhe Bajgorë të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Miratimin nga kabineti qeveritar mori edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, mamive, farmacistëve dhe veterinerëve në nivel të vendeve anëtare të Këshillit për Bashkëpunimin Regjional.