Këto vendime për organizim të brendshëm i miratoi sot Kryesia e LDK’së

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka miratuar para pak çastesh disa vendime për organizimin e brendshëm të partisë, shkruan Mediafokus.info.

Komunikata e plotë:

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, me shumicë votash u morën disa vendime në lidhje me organizimin e brendshëm si në vijim:

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përputhje me Platformën për reforma dhe riorganizim, të paraqitur nga kryetari dhe të miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, mori vendim që të krijojë ekipet të cilat do ta bëjnë vlerësimin e gjendjes aktuale në Degët e LDK-së. Këto ekipe do të propozojnë mënyrat që do të ndiqen në procesin e reformimit të thellë të Degëve.

Procesi i reformimit synon të riorgnizojë Degët dhe t’i hapë ato ndaj individëve me kredibilitet dhe të rinjve që besojnë në vlerat tona të përbashkëta. Po ashtu, ekipet e Kryesisë do të ndihmojnë Degët në përgatitjet për zgjedhjet lokale. 

U aprovua propozimi i kryetarit për strukturën e re organizative:

Riorganizohet Zyra për medie dhe Qendra për Informim e Kosovës – QIK; 

Në kuadër të Fondacionit “Ibrahim Rugova” themelohet Shkolla Politike;

Kryesia e Lidhjes Demokratike, aprovoi formimin e gjashtë Departamenteve si në vijim:

Departamenti i Politikës së Jashtme; 

Departamenti i Rendit, Ligjit dhe Sigurisë; 

Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit; 

Departamenti i Arsimit, Kulturës dhe Sportit; 

Departamenti i Shëndetësisë;

Departamenti i Rinisë; 

Departamenti i Avancimit Shoqëror. 

Këto departamente do të përgatisin dhe hartojnë qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe alternativën opozitare ndaj pushtetit.