“Këtu s`ka kurgja, jam tu këqyr me dal najkah”
Vana Jerliu Ramadani
(Largimi i të rinjve nga Kosova, brengë e madhe për të gjithë neve)
Historikisht, populli ynë ka emigruar në vende të tjera për arsye të ndryshme.
Në fakt, unë mendoj se kjo pjesë e historisë është pak e dhimbshme për ta kujtuar, por këtë dhembshuri përherë e ka mundur shpresa se një ditë, ata që u larguan, do të kthehen dhe të japin kontributin e tyre për Kosovën.
Gjithmonë është ruajtur shpresa se mërgimtarët do të kthehen prapë në vendlindje për të jetuar e kontribuuar, jo vetëm financiarisht, po edhe me eksperiencat që kanë përfituar në vendet tjera.
Kohëve të fundit dëgjohet shpesh nga të rinjtë kosovarë shprehja “këtu s`ka kurgja, në Kosovë s`ka kurgja, jam t`u këqyr me dal najkah”.
Kjo na jep të kuptojmë se kemi një problem shumë serioz, si shtet e që na obligon t’i përvjelim mëngët e të fillojmë menjëherë punën për të zgjedhur këtë problem, për ta parandaluar këtë dukuri.
Të jemi realistë, kjo dukuri nuk mund të ndalet qind për qind, por mund të reduktohet numri marramendës i ikjes së të rinjve nga Kosova.
Kjo fjali, tanimë shumë e popullarizuar, shkakton një rrëqethje tek ata qe ia duan të mirën Kosovës dhe shoqërisë së saj.
Përveç pasojave tjera për Kosovën, ikja e trurit duhet të jetë tepër shqetësuese për shtetin e ri.
Sepse, dallimi ndërmjet një emigrimi të tanishëm dhe atij të disa dekadave më përpara është i madh.
Sepse, të rinjtë që po largohen nga Kosova tani, janë më të arsimuar dhe më të informuar.
Njashtu, pasojat e mundshme negative të shëndetit mendor në shoqëri, nga kjo ikje, janë të mëdha.
Mjafton kjo fjali (‘këtu s`ka kurgja’) për të kuptuar shpresat e thyera të kësaj rinie për një të ardhme më të mirë në vendlindjen e tyre.
Fakti se planifikojnë largimin nga Kosova, tregon se ata janë duke kërkuar një vend tjetër për t`i realizuar ëndrrat e tyre rinore, meqë vendi i tyre i ka dëshpëruar aq shumë.
Sa për ngushëllim, ana pozitive në këtë dukuri të keqe, është se rinia nuk po dorëzohet, nuk po i humb shpresat për një të ardhme më të mirë, qoftë edhe jashtë Kosovës.
Brenga ime është edhe se çfarë mund të ndodhë me atë pjesën tjetër, me ata që nuk kanë mundësi të ikin nga Kosova në një vend tjetër?
A janë dorëzuar ata përballë sfidës për të kërkuar një mundësi diku tjetër?
Sa mund të reflektojë kjo negativisht në shëndetin e tyre mendor nëse dështojnë në ëndrrën që kanë?
Shpresoj se asnjëra nga këto pikëpyetjet e mia të mos jenë të vërteta dhe ajo pjesë e rinisë të mos e humb shpresën dhe durimin duke pritur se ‘do të bëhet mirë në Kosovë’ dhe do të kenë mundësi t`i realizojnë ëndrrat e tyre në vendlindje.
Fati i atyre që emigrojnë në një shtet tjetër për mundësi më të mira, është një temë që kërkon hulumtim të vëmendshëm.
Ne mund të lutemi që të kenë fat dhe të gjejnë punë në profesionet e tyre, aty ku mund të jenë më të suksesshëm.
Dëshiroj të mendoj se vështirësitë që i kishin në vendlindjen e tyre, të mos i përcjellin edhe në vendin mikpritës.
Shpresat se një ditë ata do të kthehen në vendlindje, aty ku lanë pas familjen dhe shoqërinë e tyre, për të dhënë kontributin profesional, janë shumë të vogla.
Së pari shtrohet dilema se sa është e gatshme një shoqëri indiferente të pranojë dijen dhe eksperiencën e tyre? A do të ofrojë kushte pune qeveria e Kosovës për ta?
Përgjigjen, tani për tani e kemi, sepse po të ishin të mundura këto dy gjera, rinia e Kosovës nuk do të kishte nevojë të ikte në një vend tjetër.
Por, më mirë të mbesim me shpresë. Ndoshta një ditë do të ndodh ndryshimi i këtij mentaliteti.
Janë shumë faktorë që kanë kontribuar në këtë dukuri dhe sinqerisht me vije shumë keq për të rinjtë e Kosovës.
Kam bindjen se ata ndjehen sikur janë në një “kafaz” dhe kanë shumë pak mundësi për t`i shfrytëzuar kapacitetet e tyre.
Shpresoj se një ditë, kur të jenë jashtë atij “kafazi” e t`i kenë realizuar ëndrrat e tyre, do të na falin “mëkatet” që kemi ndaj tyre si shoqëri.
Shpresa ime është se kemi një rini brilante dhe besoj që kanë me na e falë një ditë “mëkatet” dhe se nuk do të lejojnë të përsëritet një histori e tillë në të ardhmen.
Shpresa ime është po ashtu që qeveria e Kosovës do të bëhet më zemërgjerë dhe do të merret seriozisht me këtë problem me pasoja të mëdha.
Shpresa ime është dhe se shoqëria e Kosovës do të vetëdijesohet edhe më shumë dhe do të kuptojë seriozisht që ka ardhur koha të krijojë më shumë mundësi për rininë tonë.
Porosia ime për të rinjtë është:
Krenohuni kudo që jeni, sot dhe nesër, sepse ju jeni truri i Kosovës, por shteti juaj ju ka injoruar!!!
…………………
(Autorja është Magjistre e Studimeve të Varësive, Shëndetit Mendor dhe Magjistre e Drejtësisë Penale në SHBA)

