Rikthimi i fëmijëve në shkolla në shtator, duhet të diskutohet e vendoset tani

Shkruan: Vana Jerliu-Ramadani, psikologe

Një ndër temat kryesore të debatit këto ditë, do të duhej të ishte kthimi i fëmijëve në shkolla në vjeshtën e vitit 2020.

Tani është koha e duhur për të diskutuar e planifikuar nëse duhet të kthehen fëmijët në shkollë dhe të punohet një plan i duhur për mbrojtjen e tyre nga COVID-19, nëse vendoset për kthim.

Mjerisht, si duket kjo temë nuk po konsiderohet e rëdësishme për Qeverinë e Kosovës. Eshtë shqetësuese se si nuk po punohet aspak për këtë çështje shumë të rëndësishme.

Si psikologe, i bëjë thirrje Qeverisë së Kosovës që të fillojë menjëherë punën për të krijuar kushtet e duhura për sigurinë e fëmijëve, nëse vendoset që ata të kthehen në shkolla.

A duhet prindërit të marrin pjesë në këtë vendim, absolutisht se po. Por, para se të inkuadrohen prindërit në këtë proces, duhet të prezantohet plani se çfarë po bënë qeveria, duke siguruar se kushtet do të jenë të duhura në shkolla, në mënyrë që të minimalizohet mundësia e infektimit të femijëve nga ky virus.

Njashtu duhet të inkuadrohen ekspertë të duhur të shëndetësisë, pa i harruar eskpertët e shëndetit mental. Qeveritarët dhe ekspertë shendetesorë duhet të ulen së bashku për të diskutuar pro dhe kundër dhe të vendosin për të mirën e fëmijëve.

Pastaj, të inkuadrohen edhe prindërit, duke ua shpjeguar atyre se çfarë kushte do të kenë fëmijët e tyre në shkolla, gjatë kësaj gjendje pandemie.

Kam frikë se në Kosovë, me hapjen e disa gjërave, për shumicën përshtypja është se gjithçka është kthyer në normalitet.

Duhet kuptuar se ende jemi në gjendje pandemie dhe fëmijët, si një shtresë e ndjeshme e popullatës, mund të rrisin përhapjen e infektimit, nëse shkollat hapen pa plane preventive kundër ketij virusi.

U bëjë thirrje prindërve njashtu që të ngrisin zërin e tyre, duke marrë iniciativën të zgjedhin më të mirën e mundur për fëmijët e tyre.

Unë personalisht nuk mund të jap përgjigje, nëse do të jetë ide e mirë apo jo të hapen shkollat në Kosove tani, sepse ende nuk kam degjuar apo lexuar se është publikuar ndonjë plan i duhur për këtë çështje shumë të rëndësishme.

Sa i përket mendimit tim profesional të shëndetit mental, çfarëdo vendimi që merret, duhet kuptuar që janë të mundura efektet negative dhe pozitive të shëndetit mental, nëse nuk merren masat e duhura për këtë çështje.

Nëse vendoset që fëmijët të kthehen në shkolla këtë vjeshtë, atëherë duhet të punohet shumë që të sigurohen fëmijët sa më mirë që është e mundur.

Por, nëse vendoset që fëmijët të mos kthehen në shkolla, atëherë fëmijëve dhe prindërve duhet t`u ofrohet përkrahje e madhe, sepse nuk do te jetë e lehtë as për fëmijet e as për prindërit.