“Kinezët janë rritur me filma shqiptarë”, çudit gazetari kinez që flet shkëqyer shqip
Brezi i vjetër në Kinë është rritur me kinematografinë shqiptare dhe shprehje si “Vdekje fashizmit, liri popullit!” janë ende të njohura atje.
Këtë fakt interesant e ka zbuluar gazetari kinez Burim Li, i cili në një lidhje direkte për emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, ka surprizuar me shqipen e tij të rrjedhshme.
I pyetur përse zgjodhi të studiojë gjuhën shqipe, Li tregoi se sugjerimi kishte ardhur pikërisht nga familja e tij, nisur nga lidhjet e hershme historike dhe kulturore mes dy vendeve.
“Në Pekin kemi dy universitete që kanë hapur degën e gjuhës shqipe. Unë u diplomova në vitin 2016. Kina dhe Shqipëria kanë miqësi shumë të afërt. Prindërit e mi më këshilluan të mësoj gjuhën shqipe. Filmat shqiptarë kanë qenë shumë të njohur në Kinë. Brezi i vjetër janë rritur me filmat shqiptar. Psh shprehje si ‘vdekje fashizmit, liri popullit’. Sespe shumë filma shqiptar mbi fashizmin janë përkthyer në gjuhën kineze. E kam vizituar dy herë Shqipërinë. Besoj se do rikthehem në Shqipëri. Kam shumë miq shqiptarë, më pëlqen shumë kultura shqiptare”, tha Li. (A2 Televizion)

