“Kjo është katastrofë”: Republikanët e zemëruar e fajësojnë Trumpin për humbjen në zgjedhje 4 nëntor 2026
Brenda Partisë Republikane, shoku fillestar me rezultatin e rëndë zgjedhor të martën në mbrëmje shpejt u zëvendësua me zemërimin ndaj presidentit Donald Trump.
Pasi demokratët shënuan fitore në shtete tradicionalisht republikane si Teksasi, Kansasi e Karolina e Jugut, disa republikanë e përqendruan zemërimin e tyre mbi Trumpin, duke argumentuar se fokusi i tij në trashëgiminë e vet dhe indiferenca ndaj shqetësimeve të votuesve i kushtoi partisë me humbjen e kontrollit në Kongres, raporton televizioni BBC.
“Është faji i tij. Nuk është i askujt tjetër. Është një refuzim total, i plotë i presidentit Trump” – tha Bill Miller, lobues i shquar republikan në Teksas. “Kjo është një katastrofë e shkallës së parë. Askush nuk e pa atë duke ardhur kështu” – shtoi ai.
Shumica e republikanëve e prisnin humbjen e kontrollit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe sytë i kishin te sfida e mbajtjes së kontrollit në Senat në një palë zgjedhje të vështira.
Megjithatë, disa thanë në intervista se Trumpi i tërhoqi ata poshtë me politika jopopullore, me shkallë të ulët të kënaqshmërisë me punën e tij dhe me obsesionin rreth projekteve të ndërtimit në Uashington.
“Ishte thjesht një gabim pas tjetrit” – tha Gregg Peppin, strateg republikan në Minnesota. “Qartazi, shtet pas shteti, njerëzve nuk u pëlqyen politikat e presidentit” – shtoi ai.
Një aleat i Shtëpisë së Bardhë tha se mungesa e kënaqshmërisë me punën e Trumpit për shkak të luftës me Iranin, taksat dhe shtypjen e imigrimit nga administrata amerikane krijuan një “stuhi të përsosur” në nëntor.
Trumpi ishte i heshtur për një pjesë të madhe të natës së zgjedhjeve para se të publikonte një mesazh në rrjetin “Truth Social”, pasi kontrolli në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve u shpall i humbur për republikanët.
“Unë nuk isha në kutinë e votimit dhe po të isha, do të kishim fituar me fitore bindëse! Faleminderit për vëmendjen tuaj në këtë çështje” – shkroi ai.

