Kjo është studentja shqiptare që vdiq në aksidentin në Greqi

Komuniteti shqiptar në Greqi, ka bërë me dije përmes një njoftimi në Facebook se studentja me origjinë shqiptare Ifigjenia Micka është konfirmuar e vdekur nga aksidenti i trenave në Greqi.

Vdekja e Mickës konfirmohet nga avokati i familjes së saj. Ajo ndodhej në vagonët e parë të trenit të udhëtarëve, të cilat shpërthyen në flakë pas përplasjes fatale me një tren mallrash.

Aksidenti hekurudhor ka ndodhur në hyrje të luginës së Tempes, ku treni i pasagjerëve që udhëtonte midis Athinës dhe Selanikut me 350 persona në bord u përplas me një tren mallrash.

Të mbijetuarit kanë treguar se vagonët u përfshinë me shpejtësi nga flakët, njerëzit digjeshin të gjallë, ndërsa ishte shumë e vështirë të nxirrje personat nga mjeti i shkatërruar.

Nga informacionet e dhëna nga autoritetet greke, numri i viktimave është të paktën, 57, por mund të rritet ende për shkak të personave të zhdukur të cilët nuk janë gjetur ende.

Greqia ka shpallur 3 ditë zie kombëtare në nder të viktimave./Euronews/