Kjo ishte koha kur shkollat e Kosovës nuk gjenin ‘anglezë’

Pas luftës mungon kuadrot e anglishtes në shkollat e Kosovës. Edhe ata pak ‘anglezë’ që ekzistonin, ishin punësuar nëpër organizatat ndërkombëtare, ku pagueshin më mirë, për dallim nga arsimi ku paga nuk shkonte më lart se 214 euro, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Ishte interesant se në të gjitha shkollat dominonin kërkesat për mësimdhënës të gjuhës angleze. Nëse rishikohet një konkurs i asaj kohe, vetëm shkollat e Gjilanit kishin nevojë për 67 ‘anglezë’ nga gjithsej 214 vende të lira, sa ishion planifikuar në 29 shkolla fillore dhe të mesme.

S`do mend se një numër prej këtyre vendeve të lira, është dashur të plotësohet me kuadër joadekuatë.

Ndryshe qëndronte gjendja me mësimdhënës të lëndëve shkencore, sidomos të matematikës, që për dallim nga vitet e mëhershme, nevojat ishin minimale.

Njëzet e një vjet pas luftës, shkollat e Gjilanit dhe as ato të Kosovës nuk e ndjejnë më mungesën e kuadrove të gjuhës angleze, sepse me kalimin e kohës janë aftësuar gjenerata të reja, ndërkohë që edhe organizatat ndërkombëtare kanë liruar nga puna një pjesë të madhe të stafit civil vendor, shkaku u përfundimit të misionit./Mediafokus.info