Klinika Infektive dhe spitalet rajonale mbushen me pacientë me COVID
Klinika Infektive është mbushur me pacientë dhe gati se nuk ka vende të lira për qytetarët tjerë të infektuar me COVID-19. Gjendja nuk është më e mirë as në spitalet rajonale.
Infektologu në këtë klinikë, Salih Ahmeti, ka thënë për Express se 118 pacientë kanë qenë të shtrirë në këtë klinikë në mëngjes.
Ai është shprehur se janë duke punuar me kapacitete të plota dhe se nuk ka shtretër të lirë në këtë klinikë.
“Ne 118 pacientë i kemi pasur në mëngjes, tani janë shtuar duke u pranuar. Ne po punojmë me kapacitete të plota, aq sa kemi shtretër, gjithmonë janë të plotësuar këto ditë. Nuk ka shtretër të lirë. Ata mund të jenë të lirë për dy-tre orë derisa të kryhen lëshimet e të pranohen të tjerët, por brenda 24 orëve janë të mbushur vazhdimisht”, ka shtuar ai.
Me rritjen e numrit të rasteve të infektuara me COVID-19, Klinika Infektive ka filluar të mbushet me pacientë.
Më 2 mars të këtij viti, në këtë klinikë kanë qenë të shtrirë 91 pacientë. Derisa, nga kjo ditë deri më sot është rritur edhe më shumë numri i të hospitalizuarve.
Përveç rritjes së numrit të rasteve të infektuara me këtë virus, së fundmi kemi parë edhe një rritje të numrit të viktimave.
Vetëm dje në Kosovë janë raportuar 827 raste të reja të infektuara dhe 16 viktima.
Ndërsa, nga kjo gjendje e krijuar, të rënduara me pacientë janë edhe spitalet rajonale në vend.
Nga Spitali i Pejës kanë thënë për Express se gjatë javëve të fundit kanë pasur rritje të numrit të pacientëve të hospitalizuar me COVID-19, ku aktualisht janë të hospitalizuar 90 pacientë me koronavirus.
Ndërsa, edhe drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri ka thënë se është rritur numri i pacientëve të infektuar me koronavirus që janë të shtrirë në këtë spital.
Ai ka thënë se 53 pacientë me COVID-19 janë të shtrirë sot, 4 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërsa, drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala ka treguar se sot në këtë spital janë të shtrirë 92 pacientë.
Kosova ende nuk ka arritur të furnizohet me asnjë vaksinë kundër COVID-19.

