Whyte: Qeveria e re do të gjykohet nga veprat

Këshilluesi i Kosovës në rrugën drejt pavarësisë, Nicholas Whyte, ka thënë se Qeveria e re e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, do të gjykohet nga veprat dhe jo fjalët dhe se vetë Kurti duhet të ketë kujdes nga premtimet që bën.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Whyte, që drejton zyrën në Bruksel të Organizatës për shërbime të konsulencës APCO, ka thënë se duhet të njihet autoriteti i Kosovës në territorin e vet, dhe e ka quajtur skandaloz faktin që regjistrat e kadastrave nuk i janë kthyer ende Kosovës nga ana e Serbisë.

Nën udhëheqësinë e presidentit amerikan Joe Biden, Whyte ka thënë se pret më shumë angazhim të Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Ai ka thënë edhe se Qeveria e re Kosovës mund të ketë më pak kontakte me zyrtarë diplomatikë në botë, për dallim nga partitë tjera politike.