Koha kur Kosova ish Shqipni
Një letërnjoftim i kohës së Mbretënisë Shqiptare në Kosovë, është ruajtur me shumë kujdes nga një gjilanas, deri në ditët e sotme. Ta përkujton kohën kur Kosova ish Shqipni.
Nazmi Musliu është posedues i letërnjoftimit të babëgjyshit të tij, Shaban Musliu, të lindur në vitin 1884, i cili në ballinën e tij mban emërtimin “Mbretnia Shqiptare” dhe është i bërë me material letre, jo edhe aq cilësore.
Letërnjoftimi ka dy fletë dhe faqet e brendshme të tij gjenden të dhënat personale të pronarit të këtij dokumenti, duke filluar nga emri i babait dhe nënës, datëlindja, feja, vendi i lindjes, banimi, profesioni dhe të dhëna tjera, deri te e drejta e votës.
Faqja tjetër e shënimeve përmban karakteristikat identifikuese të personit, siç janë shtati, balli, sytë, hunda, goja, flokët, mjekra, mustaqet, ngjyra dhe shenjat e veçanta, por që me një shënim zyrar, i shkruar në vijë vertikale, sugjerohet të shikohen nga fotoja.
Dokumenti është i nënshkruar nga nënprefekti i asaj kohe në Gjilan, Hamit Kruja.
Trashëgimtari i këtij dokumenti, Nazmi Musliu e konsideron atë një pasuri të veçantë, prandaj e ruan me shumë gjelozi, për ta kujtuar edhe kohën e Mbretnisë Shqiptare në Kosovë./Mediafokus.info



