Komunat e ‘zonës së kuqe’ futen në orë policore nga ora 19:00
Komunat që i përkasin zonës së kuqe, që tregon nivelin e rrezikshmërisë nga koronavirusi, do të futen në orë policore nga ora 19:00. Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar për masat e reja anti-COVID që do të hyjnë në fuqi nga dita e premte.
“Në zonë të kuqe janë shtatë komuna, Prishtina, Podujeva, Gjakova, Gjilani, Ferizaj, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Shtimja. I kemi marrë dy veprime, e lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 19:00, me specifikat e manualit për mbrojtje nga koronavirusi. Nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik, vendoset kufizim i plotë i qytetarëve, pra orë policore nga ora 19:00 në këto komuna. Gjithashtu, ndalohen hyrje-daljet në këto komuna nga ora 19:00”, ka deklaruar Hoti.
Hoti tha se masat do të hyjnë në fuqi nga kjo e premte.
“Kjo është zgjidhja më e mirë që kemi mundur të bëjmë, duke pasur parasysh interesat që ka ekonomia, por duke vendosur në rend të parë shëndetin publik. Masat do t’i dërgojmë për votim menjëherë pas kësaj konference. Masat hyjnë në fuqi të premten në orën 19:00, kur fillon mbyllja e komunave në zonë të kuqe. Gjatë ditës kemi lejuar aktivitetin ekonomik me masa strikte”, ka deklaruar Hoti.

