Konfirmohet meçi Tyson Fury-Anthony Joshua
Tashmë zyrtarisht është konfirmuar meçi në mes të Tyson Fury dhe Anthony Joshua, që nga shumëkush shihet si meçi më i madh në historinë e boksit britanik.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë boksieri Fury nëpërmjet një video-mesazhi në faqen e tij në Facebook, raporton mediafokus.info.
Sipas marrëveshjes së arritur, takimi i shumëpritur pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm, ndërsa data e saktë do të caktohet më vonë. Marrëveshja parasheh që boksierët britanikë të ndeshen dy herë me njëri-tjetrin.
Por, për të arritur deri te përballja me Joshua, Fury duhet që fillimisht ta zhvillojë rimeçin me Deontay Wilder, që ishte caktuar për në korrik të këtij viti, por për shkak të pandemisë është shtyrë për fundvit.
Kujtojmë se Fury e kishte fituar ndeshjen e fundit me Wilder, ndërsa vazhdimisht ka adresuar thirrje për ballafaqim në drejtim të Anthony Joshua, pasi dëshiron që t’ia rrëmbejë titujt këtij të fundit dhe të bëhet kampion i unifikuar në të gjitha kategoritë./mediafokus.info/

