“Konfliktet duhen zgjidhur si njerëz, jo si kafshë” – Papa jep mesazh të prerë kundër luftës
Gjatë homelisë së Meshës në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa përcolli një mesazh të fortë kundër luftës, duke theksuar se përplasja e armatosur nuk mund të marrë kurrë justifikim moral dhe se ajo nuk pasqyron vullnetin e Zotit.
Në predikimin e tij, ai u shpreh: “Lufta nuk është kurrë e denjë për njeriun dhe nuk është kurrë e bekuar nga Zoti, sepse Krijuesi na ka pajisur me inteligjencën dhe vullnetin për të zgjidhur konfliktet si qenie njerëzore dhe jo si kafshë, ndoshta të pajisura me armë hiperteknologjike”, duke vënë në dukje përgjegjësinë morale të njerëzimit për t’iu shmangur dhunës.
Papa nënvizoi gjithashtu se familja njerëzore ka një unitet që qëndron përmbi ndasitë kombëtare dhe politike, të cilin e përkufizoi si një parim themelor që duhet të udhëheqë vendimmarrjen globale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Uniteti i familjes njerëzore u paraprin popujve dhe shteteve individuale. Nuk është vetëm një fakt biologjik, është një parim etik”, theksoi Papa, ndërsa i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rikthejë vëmendjen te solidariteti dhe bashkëjetesa paqësore.
Kjo fjalë u mbajt gjatë Meshës që shënoi në fakt hapjen e Koncistorit të Jashtëzakonshëm, një mbledhje e rëndësishme e kardinalëve të Kishës Katolike.
Më pas, në vijim të seancës së parë të punës, diskutimet u përqendruan te situata ndërkombëtare dhe krizat e shumta që po prekin aktualisht botën, ndërsa Papa kërkoi një reflektim më të thellë për rolin e Kishës dhe të udhëheqësve botërorë në ndërtimin e paqes.

